LAJMET E MBRËMJES

Mbrojtja e Thaçit planifikon 10 dëshmitarë në fazën e radhës të gjykimit

Në konferencën mbi ecurinë e çështjes gjyqësore kundër ish-udhëheqësve të UÇK-së në Hagë, avokati, Luka Mishetiq, i cili e përfaqëson Hashim Thaçin, ka bërë të ditur se mbrojtja planifikon që të thërrasë deri në 10 dëshmitarë në vijim të procesit. Ai e ka kundërshtuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për transferimin në këtë gjykim të disa provave nga një rast tjetër penal, duke e quajtur këtë veprim të padrejtë dhe të dëmshëm për drejtësinë

Në rastin për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit, në kuadër të të cilit gjykohen ish-udhëheqësit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, të mërkurën është mbajtur konferencë përgatitore ku palët treguan planet që kanë lidhur me paraqitjen e provave. 

Janë caktuar afatet kohore për paraqitjen e mocioneve të ekipeve mbrojtëse për rrëzimin e akuzave në aktakuzë. 

Në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, janë vendosur disa afate kohore lidhur me mocionin e ekipeve mbrojtëse. Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, tha se trupi gjykues e urdhëron mbrojtjen që mocionin e saj ta dorëzojë deri më 2 qershor ose pas 14 ditësh pas vendimit të fundit të trupit gjykues, lidhur me provat e Prokurorisë.

Avokati i ish-presidentit Hashim Thaçi, Lluka Mishetiq, ka thënë se planifikojnë që t’i thërrasin 10 dëshmitarë. 

Mishetiq tha se këta dëshmitarë do të thirren vetëm nga ana e mbrojtjes së Thaçit, pa përfshirë ata që mund të thirren nga mbrojtësit e të akuzuarve të tjerë. 

“Ne ua kemi dhënë përgjigjen më përpara. Ne nuk e dimë këtë me saktësi. Unë kam thënë që do kemi deri në 10 dëshmitarë, por nuk mund t’jua them me siguri”, deklaroi Mishetiq.

Avokati i ish-presidentit të Kosovës i ka quajtur si të padrejta pretendimet që, siç tha, Zyra e Prokurorisë së Specializuar po kërkon që disa nga provat nga rasti tjetër, ku Thaçi akuzohet për pengim të administrimit të drejtësisë, të barten në këtë çështje.

“Kërkesa e ZPS-së është që të lëvizë materialet e çështjes 12 në këtë çështje të sotme, pra në çështjen 06. ZPS-ja argumenton që ka tri materiale që janë me rëndësi për çështjen 6 duke argumentuar se së pari është e provuar që ata përbëjnë faktorë rëndues që kanë lidhje me dënimin në këtë çështje dhe së dyti; pretendojnë të informojnë besueshmërinë e dëshmitarëve të ZPS-së në këtë çështje dhe së treti ata pretendojnë të demonstrojnë ‘mens rea’ (v.j. që veprat janë bërë me vetëdije)”, ka thënë avokati Mishetiq.

Mbrojtja e Veselit e përfaqësuar nga Rodney Dixon, tha se do të konsultohen si ekipe të mbrojtjes në mënyrë që të japin afat të përgjithshëm sa u takon dëshmitarëve të tyre.

Prokurori tha se nuk kanë asgjë për të paraqitur më nga provat e tyre, përveçse për t’iu përgjigjur parashtrimeve që dalin.

Kurse, avokati Mishetiq theksoi se të katër ekipet mbrojtëse kanë qëllim që të paraqesin kërkesa në bazë të Rregullës 130 dhe se këtë gjë mbrojtja do ta bëjë së bashku. Ai shtoi se në diskutim me ekipet e mbrojtjes, duke pasur parasysh edhe vëllimin e materialit të ZPS-së, do iu duhen 14 ditë që nga data e vendimit të fundit të trupit gjykues lidhur me provat e paraqitura nga Prokuroria.

Trupi gjykues pyeti se a do të ishte e gatshme mbrojtja që mocionet e saj t’i dorëzonte më herët në rast që procedurat me Prokurorinë kryhen me herët. Si rrjedhojë, Mishetiq tha se mendojnë të paktën deri në qershor.

Ndërsa, ZPS-ja tha se ata respektojnë vendimin e trupit gjykues lidhur me afatin e mbrojtjes. Prokurori gjithashtu tha se për t’u përgjigjur në mocionin e mbrojtjes, duan një muaj kohë.

Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, ua rikujtoi palëve që mbrojtjes nuk i lejohet apeli në rast që mocioni i tyre për rrëzimin e akuzave, rrëzohet.

Ndërsa, mbrojtësi i viktimave Simon Laws u pyet nëse do të paraqesë çështjen e tij pasi të merret vendimi lidhur me mocionin e mbrojtjes për rrëzimin e akuzave në aktakuzë.

Laws që përfaqëson viktimat, tha se do paraqesin dy raporte që trajtojnë aspekte psikologjike dhe aspekte të dëmit material për viktimat. 

Ai theksoi se shpresojnë që më 2 maj t’i paraqesin dy raportet në bazë të rregullave dhe se një gjë të tillë do ta bëjnë brenda 14 majit.

Laws pohoi se dy ekspertët kanë dhënë raporte edhe në çështjen 04 dhe 05, duke shtuar se më së voni me 14 maji, do bëjnë kërkesë për thirrjen e disa dëshmitarëve, qoftë edhe për pranimin e deklaratave të tyre sipas Rregullës 153.

Ai tha se ka mundësi që dëshmitë e dëshmitarëve të tyre mund të zgjasin deri në dy javë.
E kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, tha se deri tash nuk kanë paraparë thirrjen e ndonjë dëshmitari.

“Dua të konfirmoj edhe një herë që në këtë pikë nuk synojmë që të thërrasim dëshmitarë ose që të dorëzojmë dokumente nga ne, pra nga trupi gjykues. Mund të ndryshojë kjo, por për momentin nuk synojmë ta bëjmë këtë gjë”, ka deklaruar Smith.

Po ashtu në këtë konferencë avokati mbrojtës i Kadri Veselit ka paraqitur kërkesën e tyre siç kanë thënë me problemin e vazhdueshëm të Veselit për të paktën tre muajt e fundit për të pasur mundësi të komunikojë me fëmijët e tij përmes telefonit. Ngjashëm u ankua edhe mbrojtësi i Hashim Thaçit.

Më 15 prill 2025, Prokuroria ka njoftuar se ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast.