LAJMET E MBRËMJES

Vdekja e personit që ra në pusetë të hapur përplas pushtetin me opozitën në Prishtinë

Shefi i asamblistëve të LVV-së, Gëzim Sveçla, e ka akuzuar Komunën e Prishtinës për këtë vdekje. E, Komuna e Prishtinës ka sqaruar se projekti i punimeve në rrugën ku ka ndodhur rasti është i nivelit qendror. Këtë e kanë konfirmuar edhe në kompaninë punëkryerëse, tek kanë thënë që për projektin e shtrimit të rrugës janë kontraktuar nga Ministria e Infrastrukturës

Vdekja në Qendrën Klinike Universitare (QKUK) të hënën e një personi që pati marrë lëndime të rënda si pasojë e rënies në një pusetë të hapur në Bardhosh të Prishtinës ka shkaktuar të mërkurën përplasje midis përfaqësuesve të pushtetit dhe atyre të opozitës në kryeqytet lidhur me përgjegjësinë për rastin. 

Në raportin 24-orësh të publikuar të mërkurën, Policia ka njoftuar se qytetari që po trajtohej në QKUK për lëndimet e pësuara më 9 gusht, shkaku i rënies në pusetë, ka vdekur të hënën.

Pas kësaj, shef i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në Komunën e Prishtinës, Gëzim Sveçla, e ka akuzuar qeverisjen e kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, për aksidentin.

“PRISHTINA E PËRJETIMEVE TË RËNDA. Ndërkohë që promovohen kontrata 18-milionëshe për shesh, 12 milionë për vizatime të arkitektëve, miliona për digjitalizime të parkingjeve e shumë të tjera - neve na vdesin njerëzit në pusetë. Është e tmerrshme me ndodhë kjo në vitin 2024 në kryeqytet. Kaq vlen jeta e njeriut në Prishtinë. Të rrezikuar në çdo hap, në çdo moment, qoftë nga kulmet që fluturojnë, nga lisat që rrëzohen nga era apo nga pusetat e hapura. Ngushëllime familjarëve e hetim dhe përgjegjësi për rastin”, ka shkruar ai në një postim në Facebook.

E në një përgjigje për akuzën, në Komunën e Prishtinës kanë lëshuar një sqarim publik, tek kanë theksuar punimet në rrugën ku ka ndodhur ngjarja janë të kontraktuara prej nivelit qendror. 

“Më datën 9 gusht 2024, një i moshuar ka rënë në një pusetë të hapur përgjatë rrugës magjistrale Prishtinë - Podujevë. Si pasojë, personi në fjalë ka ndërruar jetë më 19 gusht. Ia shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes së të ndjerit. Dëshirojmë të sqarojmë për publikun se është konstatuar nga ekipet tona dhe konfirmuar nga Policia e Kosovës se puseta në të cilën ka rënë i ndjeri është në rrugën magjistrale Prishtinë – Podujevë. Kjo rrugë magjistrale nuk është në kompetencë të kryeqytetit, por në kompetencë të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe pjesë e punimeve të menaxhuara nga Qeveria”, është thënë në sqarimin e Komunës së Prishtinës. Në këtë instancë i kanë kualifikuar “për keqardhje deklaratat e pavërteta nga përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët këtë fatkeqësi të rëndë tentojnë ta politizojnë dhe përmes shpifjeve tentojnë t’ia hedhin fajin organeve të Kryeqytetit”.
Në kompaninë punëkryerëse “PRO&CO Group” kanë konfirmuar se për këto punime janë kontraktuar prej Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. 

Musli Shala, inxhinier i kësaj kompanie, ka thënë se është intervistuar nga Policia lidhur me rastin.
Ai ka thënë se në vendin ku ka ndodhur ngjarja nuk ka pasur dhe as tash nuk ka ndriçim publik.  

“Puseta ka qenë e shenjëzuar me kona dhe aksidenti ka ndodhur në orët e vona. Dhe përveç meje, askush nuk është marrë në pyetje me sa kam njohuri. Ndriçim nuk ka aty”, ka theksuar Shala.

Lidhur me rastin, KOHA ka tentuar t'i kontaktojë nëpërmjet telefonit edhe zëvendësministrin e Infrastrukturës, Hysen Durmishi e edhe Gent Zeqirin, zëdhënësin e kabinetit të ministrit Liburn Aliu, porse ata nuk kanë qenë të qasshëm gjatë ditës.

E zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj, ka konfirmuar nisjen e hetimeve. Ajo ka thënë se Prokuroria ka iniciuar hetime në drejtim të veprës penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”, si dhe ka urdhëruar realizimin e obduksionit në Institutin e Mjekësisë Ligjore.