LAJMET E MBRËMJES

Ushtaraku i KFOR-it ia numëron Rakiqit pasojat e dhunës së protestuesve

Edhe në ditën e katërt të protestës, turma të serbëve kanë mbajtur të bllokuara ndërtesat komunale në veri, për të kundërshtuar qasjen e kryetarëve të rinj në to. Në Zveçan serbët gjuajtën me gurë një automjet të policisë dhe sulmuan gazetarët. Zhvillimet në këtë komunë gjatë gjithë ditës janë përcjellë nga gazetarja Valbona Bytyqi dhe kameramani Alban Raci, të cilët tani i kemi në linjë direkte. Valbona, cilat janë zhvillimet e fundit në Zveçan.

Nisi e qetë, por në Zveçan situata u tensionua pasdite kur policia kaloi rrugës përballë ndërtesës komunale, e bllokuar nga turma të serbëve.

Në ditën e tretë të protestës kundër hyrjes së kryetarit të ri në zyrë, pjesëmarrësit hodhën mjete të fora në drejtim të veturës së policisë.

Përfaqësues të Listës Serbe qëndruan në ballë të protestës.

Kryetari i këtij subjekti politik, Goran Rakiq, iu ankua për policinë një ushtaraku të KFOR-it.

“Pak më herët një veturë e Policisë me armë të gjatë kaloi këtu afër dhe provokoi qytetarët. E qytetaret reaguan, dhe hodhën gurë në drejtim të veturës. Arsyeja pse erdhëm te ju: Nëse keni forcë që ushtarët e juaj të jenë këtu përreth në kryqëzim, të mos vijë te kontakti mes Policisë e qytetarëve”, ka thënë Goran Rakiqi, kryetar i Listës Serbe.

Por ushtaraku i NATO-s ia rikujtoi atij dhunën që protestuesit serbë ushtruan dy ditë më parë.

“25 ushtarë. 25 ushtarë të KFOR-it janë plagosur. Disa prej tyre kishin plagë me armë zjarri. Disa ushtarë të KFOR-it janë plagosur nga arma e zjarrit, jo shumë larg nga aty ku folëm të hënën mbrëma. Shenjat në plumba tregojnë se është shtënë me ta nga një armë, të cilën nuk e ka NATO-ja apo KFOR-i. Armët me të cilat është shtënë, ata plumba, nuk kanë qenë këtu. Është absolutisht e papranueshme”, ka thënë ushtaraku i KFOR-it.

Protestuesit vazhdimisht penguan ekipet shqiptare të mediave nga Kosova, dhe sulmuan fizikisht disa prej gazetarëve, të cilët edhe këtë ditë nuk kanë siguruar mbrojtje as nga policia e as nga KFOR-i.

E, më mëngjes, KFOR-i siguroi perimetrin afër ndërtesës së Komunës.

Telat me gjemba kanë përforcuar kordonin e KFOR-it në afërsi të Komunës së Zveçanit të mërkurën. Dhjetëra ushtarë të këtij misioni tash e ca ditë janë duke siguruar objektin e Komunës. Të mërkurën, rrethojat e hekurit janë mbuluar me flamuj serbë nga protestuesit, të cilët janë duke protestuar që nga ora 7 e mëngjesit.

Në fillim të protestës është shpalosur edhe një flamur në dimensione të mëdha i Serbisë, e i cili u la në mes të protestuesve për pak minuta.

Qëndrimi në rrugë që nga orët e hershme të mëngjesit ka bërë që protestuesit të gjejnë forma të ndryshme për t’u argëtuar. Njëra prej tyre edhe dëgjimi e këndimi i këngëve nacionaliste.

Nëpërmjet protestës u përsëritën edhe kërkesat e serbëve.

Serbët kanë paralajmëruar vazhdimin e protestave deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.