Institucionet e Kosovës kanë njoftuar ato ndërkombëtare për bllokimin e qindra qytetarëve në pikën kufitare mes Kroacisë e Serbisë. Udhëheqësit institucionalë kanë vlerësuar se bllokimi i tyre është bërë në shenjë hakmarrjeje pas suksesit të Kosovës në rrugën drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës, i shënuar një ditë më parë
Hakmarrje ndaj Kosovës, për votimin e suksesshëm në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, është konsideruar bllokimi i qindra qytetarëve në pikëkalimin kufitar Kroaci-Serbi.
Presidentja Vjosa Osmani, tha se pas gjithë kësaj qëndron presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuciq.
“Serbia po hakmerret ndaj qytetarëve të Kosovës, një ditë pas votimit të KiE-së në APKiE, duke mbajtur pengje në pikat kufitare, duke i frikësuar, konfiskuar dokumente dhe duke i privuar nga ushqimi. Përgjegjës për këtë është një njeri: Vuçiqi”, ka thënë Osmani.
E sipas kryeministrit Albin Kurti, qytetarëve të ndaluar në Serbi janë duke iu shkelur të drejtat e njeriut.
“Një ditë pas votimit në favor të anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës, Serbia hakmerret ndaj civilëve kosovarë. Që nga mëngjesi i sotëm, mbi 300 shtetas tanë – përfshirë fëmijë – janë ndaluar arbitrarisht në kufij, janë privuar nga ushqimi dhe medikamentet. Shkelje flagrante e të drejtave të njeriut”, ka thënë Kurti.
Nga Ministria e Punëve të Jashtme është bërë e ditur se në lidhje me veprimet e Serbisë, janë njoftuar shtetet e QUINT-it, BE-ja e institucione të tjera ndërkombëtare.
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha se për kët]ë ka njoftuar edhe emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak.
E deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, krahasoi veprimin e Serbisë me ato të viteve të -’90-ta të represionit ndaj shqiptarëve.
“Mirë se vini në të ‘90-at. Serbia fillon me masa represioni ndaj shqiptarëve, menjëherë pasi që Parlamenti Evropian ka rekomanduar anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës. Këto masa represive që po ndërmerren ndaj civilëve shqiptarë të Luginës së Preshevës, në vendkalimin kufitar ‘Dheu i Bardhë’, vijnë menjëherë pas vendimit të djeshëm të Parlamentit Evropian dhe kërcënimeve të para disa ditëve të presidentit serb Vuçiq për ‘procesimin e gjithë atyre që cenojnë rendin kushtetues”, ka deklaruar Kamberi.
Qindra qytetarë që udhëtonin me autobusë janë ndaluar të martën mbrëma rreth orës 22:00 nga autoritetet serbe në pikëkalimin kufitar Kroaci-Serbi.
Disa prej tyre janë lejuar që të kalojnë tutje pas 18 orësh ndalim. Gjatë qëndrimit në pikën kufitare Batrovc ata kanë mbetur pa ushqim e ka pasur edhe të tillë që kanë kërkuar ndihmë mjekësore.