LAJMET E MBRËMJES

U realizuan vetëm 47.6% e aktiviteteve të parapara në planin e Qeverisë

Sipas monitorimit, 2063 aktivitete të parapara për këtë periudhë kohore janë realizuar vetëm 983. Mexhide Demolli-Nimani, drejtoreshë e “Fol”-it, ka bërë të ditur se nga mesi i ministrive, ajo e Mbrojtjes që udhëhiqet nga Armend Mehaj nuk është përgjigjur lidhur me aktivitetet që ka realizuar. Ajo ka theksuar se përqindje më e madhe e realizmit të aktiviteteve është evidentuar në ministritë, të cilat kanë pasur më pak aktivitete të parapara për këtë gjashtëmujor

As gjysma e aktiviteteve të parapara në Planit Strategjik Operacional të Qeverisë së Kosovës për periudhën janar-qershor nuk janë realizuar, ka treguar monitorimi i ndërmarrë nga Lëvizja “Fol”.

Sipas këtij monitorimi, 2063 aktivitete të parapara për këtë periudhë kohore janë realizuar vetëm 983.

Mexhide Demolli-Nimani, drejtoreshë e “Fol”-it, ka bërë të ditur se nga mesi i ministrive, ajo e Mbrojtjes që udhëhiqet nga Armend Mehaj nuk është përgjigjur lidhur me aktivitetet që ka realizuar. Ajo ka theksuar se përqindje më e madhe e realizmit të aktiviteteve është evidentuar në ministritë, të cilat kanë pasur më pak aktivitete të parapara për këtë gjashtëmujor.

“Në përqindje i bie që Qeveria e Kosovës ka realizuar vetëm 47,6% të planit vjetor për këtë periudhë kohore, janar-qershor 2022. Ministritë që kanë paraparë një numër më të madh të aktiviteteve janë Ministria e Kulturës dhe ajo e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Përderisa Ministria për Kthim dhe Komunitete ka paraparë të realizojë vetëm tetë aktivitete, që i bie që përqindja e realizimit del më e madhe se sa në ministritë e lartcekura, për shkak të numrit të madh të aktiviteteve të parapara”, është shprehur Demolli-Nimani.

Ajo ka folur edhe për aktivitetet e realizuara në Zyrën e Kryeministrit e në disa ministri.

“Zyra e Kryeministrit në kuadër të planit strategjik, operacional gjatë periudhës 1 janar-qershor 2022 ka paraparë të realizojë 98 aktivitete, prej të cilave ka realizuar vetëm 46, apo me përqindje del të jetë 46,9 për qind. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, në periudhën janar-qershor ka paraparë të realizojë 35 aktivitete, prej të cilave ka realizuar vetëm 15, përqindja është 42,9 për qind. Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për periudhën janar-qershor ka paraparë të realizojë 461 aktivitete, prej të cilave ka realizuar 103 nga to. Përqindja është shumë e vogël, 22,3 për qind”, ka theksuar Demolli–Nimani.

Sipas raportit të “Fol”-it, i cili është hartuar pas monitorimit të 15 ministrive dhe të Zyrës së Kryeministrit, ministria e Shëndetësisë ka realizuar 36.8 për qind të aktiviteteve, ajo e Drejtësisë 56.4 për qind, ndërsa ajo e Arsimit, 58.3 për qind të aktiviteteve.

Pas publikimit të raporti, nëpërmjet një postim në Facebook nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV) është bërë e ditur se Qeveria deri në korrik të vitit 2022 ka ndërmarrë një sërë veprimesh dhe masash për të përmbushur qëllimin që caktuar për punë dhe drejtësi.

“Puna dhe drejtësia nuk janë vetëm kërkesa legjitime të qytetarëve, por edhe shtylla të progresit të përgjithshëm shoqëror. Puna nuk është vetëm vendi i punës por edhe mundësia për të mësuar dhe bërë përvojën e parë në jetë. Ndaj për këtë qeveria jonë ka bërë programe. Drejtësia është ajo e ligjit por mbi të gjitha është ajo shoqërore”, është bërë e ditur në reagimin e LVV-së.

Nga partia në pushtet është cekur gjithashtu se ritmi do të intensifikohet gjatë vjeshtës.

“Andaj, Qeveria jonë është duke u përpjekur për drejtësinë penale, atë civile, por mbi të gjitha, edhe me atë shoqërore, ku shtresat në nevojë përkrahen. Këto janë vetëm një pjesë e projekteve dhe planeve të nisura nga Qeveria dhe që do të shtohen e dinamizohen në vjeshtën e këtij viti dhe do të planifikohen për buxhetin e ri 2023”, është thënë tutje në reagim.