“Jam optimiste që ne do të vazhdojmë përpara në këtë çështje (liberalizimin e vizave v.j.) dhe besoj se në muajt vijues, ndoshta këtë vjeshtë, duhet të shohim rezultate pozitive. Po ashtu ne mbështesim edhe anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”, ka thënë ministrja e Finlandës për Çështje Evropiane, Tytti Tuppurainen
Autoritete të Irlandës dhe të Finlandës kanë dhënë zotimin për ta mbështetur Kosovën gjatë procesit të liberalizimit të vizave, e edhe për anëtarësimin në Këshillin e Evropës.
Këtë e kanë bërë të hënën gjatë vizitës në Prishtinë ministrja e Finlandës për Çështje Evropiane dhe Drejtimin e Pronësisë, Tytti Tuppurainen, dhe ministri i Shtetit për Çështjet Evropiane të Irlandës, Thomas Byrne.
Pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, ministrja Tuppurainen ka thënë se vjeshta është koha më e largët për finalizimin e vendimmarrjes për liberalizimin.
“Kosova është vendi i vetëm në vendet perëndimore që nuk ka liberalizim të vizave dhe është koha që të lëvizet përpara duke mbështetur negociatat në favor të Kosovës”, ka thënë Tuppurainen. “Jam optimiste që ne do të vazhdojmë përpara në këtë çështje dhe besoj se në muajt vijues, ndoshta këtë vjeshtë, duhet të shohim rezultate pozitive. Po ashtu ne mbështesim edhe anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”.
Kjo anëtare e Kabinetit Qeveritar të Finlandës ka theksuar se vendi që përfaqëson mbështet fuqishëm zgjerimin e BE-së. Në funksion të kësaj, ka thënë se është mbështetëse edhe e të gjitha aspiratave euroatlantike të Kosovës.
“Ne do të japim mbështetje që Kosova të bëhet pjesë e institucioneve evropiane dhe mund të them se mbështetja e Finlandës për liberalizimin e vizave të Kosovës do të jetë një shpresë që BE-ja në fund të fundit do ta zgjidhë këtë problem të vonuar në muajt e ardhshëm”, ka shtuar ajo.
Krahas kësaj, ministrja Tuppurainen ka theksuar se nuk do të mungojë mbështetja as për procesin e dialogut Kosovë-Serbi, ndërkaq ka thënë se e mirëkupton Kosovën për vendimet e marra në raport me Serbinë, përfshirë vendimin për targat.
Edhe ministri i Shtetit për Çështjet Evropiane të Irlandës, Thomas Byrne, ka thënë se vendi i tij e mbështet Kosovën në këtë drejtim.
“Ne mbështesim fuqimisht jo vetëm perspektivën tuaj evropiane, por edhe pikëpamjen tuaj ndërkombëtare si komb, sepse qasja jonë te organizatat multilaterale, te organizatat ndërkombëtare, ka pasur sukses. Irlanda si vend i vogël është anëtare e BE-së, dhe vend jopermanent i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, ka thënë ministri Byrne.
Ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se mirëpret ndihmën dhe bashkëpunimin me këto dy vende.
“Jemi shumë të lumtur që ju kemi në Kosovë në këto kohë të vështira, por kohë nga të cilat do të dalim edhe më të fortë sesa jemi aktualisht. Besoj se Bashkimi Evropian, Finlanda, Irlanda… kanë shumë për t’i dhënë njëri-tjetrit përvoja, duke rritur bashkëpunimin ekonomik, tregtinë, kulturën e të tjera. Dhe ndihmë për një BE më të mirë evropiane për sa i përket përparimit dhe mbrojtjes”, ka thënë kryeministri Kurti.
Përfaqësuesit e Irlandës dhe të Finlandës përgëzuan Kosovën për qëndrimet e saj në raport me luftën në Ukrainë.