LAJMET E MBRËMJES

Trusti vazhdon të operojë me rreth 50 milionë euro humbje

Zyrtarë të Trustit kanë bërë të ditur se në muajin mars, vlera e humbjeve është ulur për 40 milionë euro, porse Trusti vazhdon të operojë me rreth 50 milionë euro humbje. Ata kanë folur edhe për kërkesën e PDK-së për mundësimin e tërheqjes së 30 për qind të kursimeve nga ana e qytetarëve, duke thënë se janë të gatshëm të zbatojnë një vendim të tillë të Kuvendit, por që kjo do të duhej të ishte mundësia e fundit që do të duhej diskutohej

Për kthim në investime as që bëhet fjalë. Ndonëse vlera e humbjeve të Trustit është zvogëluar për rreth 40 milionë euro, ky institucion vazhdon të operojë me rreth 50 milionë euro humbje. Gjatë shkurtit, Trusti ka regjistruar afro 90 milionë euro humbje. Ulja e vlerës së humbjeve në këtë muaj është paraqitur si sukses nga ana e zyrtarëve të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës gjatë raportimit në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere.

Kryetari i Bordit të Trustit, Ruzhdi Morina, ka thënë se kriza e fundit ka ndikuar në performancën e investimeve, porse pas humbjeve në dy muajt e parë të vitit, në mars ka nisur trendi pozitiv, i cili, sipas tij, është duke vazhduar.

“Gjatë muajt mars është rikuperuar pothuajse shumica e vlerës së rënies, rreth 90 milionë euro sa ishte vlera e rënies më të madhe të vlerës së aksioneve, aktualisht kemi rikuperuar një pjesë të madhe, ku tani ka mbërritur në rreth 50 milionë euro. Deri në këtë moment kur po flasim, nëse më 25 mars kishim minus 2.4 për qind, sot jemi minus 2.1 për qind. Pra, trendi pozitiv tanimë është duke vazhduar”, është shprehur Morina.

Pas interesimit të deputetëve, Morina ka folur edhe për kërkesën e PDK-së për mundësimin e tërheqjes së 30 për qind të kursimeve nga ana e qytetarëve. Sipas tij, kjo do të duhej të ishte mundësia e fundit që do të duhej të diskutohej, porse ka thënë se nëse një vendim të tillë e merr Kuvendi, atëherë ata janë të obliguar ta zbatojnë.

“Ne mendojmë se ky do të ishte hapi i fundit, apo çështje e fundit që do të duhej të shqyrtohej si mekanizëm për të intervenuar në situata emergjente. Por, kjo mbetet përgjegjësi e Kuvendit se si do ta trajtojë këtë çështje”, ka deklaruar Morina.

Kundër tërheqjes është deklaruar edhe kryetari i Komisionit, deputeti i Vetëvendosjes, Armend Muja.

“Unë nuk kisha paragjykim sa i përket kësaj tërheqjeje, nuk është çështja shumë se a ka mundësi apo s’ka mundësi. Vërtet nëse ne bëjmë këso shprehish, çdoherë, çdo vit që të tërhiqen mjetet e Trustit, megjithatë nuk po themi se qytetarët nuk kanë nevojë, unë pajtohem, mirëpo me i rritë pritjet”, ka theksuar Muja.

Ai ka arsyetuar tërheqjen prej 10 për qind që është lejuar në vitin 2020, duke thënë se në atë kohë ka pasur një tkurrje ekonomike prej 4 ose 5 për qind. Tani, sipas Mujës, nuk është situatë e njëjtë, pasi ka një rritje ekonomike prej 10 për qind.

Në këtë mbledhje në Komision ishte paraparë që për stabilitetin financiar të raportonte guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti. Po si pasojë e mungesës së tij, siç është thënë për shkaqe shëndetësore, kjo pikë është shtyrë për një mbledhje tjetër.