LAJMET E MBRËMJES

Tri ankesat që PZAP-ja i vlerësoi të pabazuara dërgohen në Supreme

Dy subjekte politike dhe një kandidat për deputet, të pakënaqur me vendimet e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), më 20 mars i janë drejtuar Gjykatës Supreme. Mes tjerash në Supreme po kërkohet anulimi i votave të LDK-së që i erdhën përmes postës

Lëvizja Vetëvendosje, Partia Demokratike e Ashkalinjve të Kosovës dhe një kandidat i PDK-së për deputet i janë drejtuar me ankesa Gjykatës Supreme për t’i korrektuar vendimet refuzuese që Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) i mori dy-tri ditë më parë ndaj ankesave të tyre. LVV, koalicioni PDAK-LPB dhe kandidati Petrit Hajdari po e kundërshtojnë në Supreme rezultatin zgjedhor që u shpall të shtunën nga KQZ-ja.

“Gjykata Supreme e Kosovës, më datë 20 mars 2025, ka pranuar një ankesë nga kandidati për deputet Petrit Hajdari nga Partia Demokratike e Kosovës-PDK, të ushtruar kundër vendimit të PZAP-së, A.636/2025. Në Gjykatë Supreme është pranuar një ankesë nga Lëvizja Vetëvendosje, kundër vendimit të PZAP A.nr.641/2025 dhe një ankesë nga Koalicioni PDAK-LPB,  kundër vendimit të PZAP A.nr.639/2025”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Supreme.

Nga Supremja, Vetëvendosje po kërkon që të anulohen votat e Lidhjes Demokratike që kanë ardhur përmes postës. Sipas LVV-së, faktet që ia kanë prezantuar Gjykatës janë dëshmi e mjaftueshme se në zgjedhjet e 9 shkurtit pati vjedhje industriale të votave. Në Vetëvendosje kanë thënë se ankesa është bërë me bindje, dëshmi dhe fakte të pakontestueshme se pati skemë kriminale të manipulimit të votave përmes postës.

“Lëvizja Vetëvendosje edhe njëherë kërkon anulimin e 18.933 votave të LDK-së të ardhura në mënyrë të manipuluar, rivotimin me postë dhe largimin nga lista të kandidatëve që kanë marrë vota në mënyrë të pakrahasueshme më shumë përmes votimit me postë sesa në vendvotime në Kosovë dhe moszëvendësimin e tyre me anëtarë të tjerë të LDK-së. Vetëm përmes pranimit të ankesës sonë mund të rivendoset legjitimiteti i zgjedhjeve në Kosovë”, thuhet në reagimin e Vetëvendosjes e cila pret që Gjykata ta korrektojë vendimin e PZAP-së, për, siç nënvizohet, parandalimin e një precedenti të tillë në të ardhmen.

Ndërkaq koalicioni i Partisë Demokratike të Ashkalinjve dhe Lëvizjes për Bashkëveprim po kërkon që Supremja ta vërtetojë ankesën e tyre dhe të anulojë 211 votat e Partisë së Ashkalinjëve për Integrim të ardhura përmes postës ose të bëj rinumërimin e tyre. Po ashtu koalicioni PDAK-LPB kërkon që të anulohen 108 votat në komunat ku nuk ka fare banorë të komunitetit ashkali dhe të bëhet rinumërimi në tri shkolla në Fushë-Kosovës. PDAK-LPB ka kërkuar që KQZ të përsëris edhe votimin me postë.

E kandidati i PDK-së për deputet, Petrit Hajdari i ka kërkuar Supremes që ta vlerësojë vendimmarrjen e PZAP-së që e vendosi si të pabazuar ankesën e tij, me të cilën pretendonte se votat për të nuk iu përputhën në disa vendvotime.

Nëse Gjykata Supreme e njeh vendimmarrjen e PZAP-së rezultatet përfundimtare do të certifikohen si të tilla.

Përfaqësimi i kandidatëve në Kuvend mund të ndërrojë vetëm në rastin e tërheqjes së tre deputetëve që janë edhe kryetar komunash. 

Bedri Hamza nga Partia Demokratike e Kosovës, nëse vendos të vazhdojë detyrën e kryetarit të komunës së Mitrovicës, atëherë i hap rrugë Rashit Qalajt që të sigurojë mandatin e deputetit, si më i votuari nga lista e kandidatëve të këtij subjekti që kanë mbetur jashtë Kuvendit. Në LDK, heqja dorë nga mandati i deputetit nga kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri dhe kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti, bënë të mundur që vendet e tyre të plotësohen nga Arben Gashi dhe Paris Guri.