Një aksident me fatalitet ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës, në magjistralen Gjilan - Prishtinë, ku si pasojë kanë mbetur të vdekur 3 persona, pasi që vetura ku ndodheshin ka përfunduar në Liqenin e Badocit. Sipas policisë, shkaku i këtij aksidenti nuk dihet ende, derisa është nisur hetimi për zbardhjen e rrethanave të rastit. Përveç Policisë, për nxjerrjen e trupave të pajetë, kanë asistuar edhe zjarrfikësit dhe FSK-ja
Tre persona kanë vdekur si pasojë e një aksidenti trafiku në magjistralen Gjilan – Prishtinë, që ndodhi mbrëmjen e së shtunës.
Automjeti ku ndodheshin të rinjtë ka përfunduar në Liqenin e Badocit, në afërsi të segmentit ku është devijuar rruga, si shkak i punimeve në urën kryesore të liqenit.
Në vendin e ngjarjes pas Policisë, dolën edhe zjarrfikësit e pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës që ndihmuan në nxjerrjen e trupave të pajetë.
Komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve, Malë Gashi, ka thënë se për më shumë se 7 orë kërkimi, dy prej viktimave u gjetën jashtë veturës, ndërsa njëri mbeti i bllokuar, e bashkë me automjetin u tërhoq me litarë deri në breg të liqenit.
“Menjëherë ekipet e zjarrfikësve kanë dalë në vendin e ngjarjes. Kanë bërë përpjekje për ta nxjerrë veturën, por nuk kanë mundur sepse ishte e gjitha e zhytur në ujë. Ka ardhur ekipi i zhytjes së FSK-së, i kanë nxjerrë dy persona që kishin humbur jetën në ujë, njëri që ka mbetur në veturë e kemi tërhequr me litar, me kamion e kemi nxjerrë veturën me gjithë personin e vdekur, dhe pastaj sigurisht e kemi hequr edhe nga vetura bashkë me FSK-në, dhe e kemi dorëzuar te ekipet mjeko-ligjore”, ka thënë Gashi.
Dy nga viktimat janë identifikuar, derisa njëri prej tyre ende jo.
Për nxjerrjen e trupave të pajetë, asistoi edhe Forca e Sigurisë së Kosovës.
“FSK me ekipet e kërkim shpëtimit në ujëra, ka asistuar në nxjerrjen e viktimave që u janë dorëzuar Policisë së Kosovës për procedurat e mëtejme”, thuhet në njoftimin e FSK-së, të dielën.
Policia ka nisur hetim për zbardhjen e rrethanave që kanë quar deri te ky aksident.
“Mbrëmë rreth orës 23:00 kemi pranuar informatën se në rrugën Gjilan -Prishtinë, ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale. Në këtë aksident, ka qenë i përfshirë, një automjet në lëvizje. Si pasojë e aksidentit, kanë mbetur të vdekur tre persona. Vdekjen e viktimave e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje. Aktualisht policia ka nisë një hetim për zbardhjen e rrethanave që kanë quar deri te ky aksident trafiku”, ka thënë Flora Ahmeti, zëdhënëse e Policisë për Rajonin e Prishtinës.
Njohësi i komunikacionit, Nol Deda, ka thënë se mungesa e sinjalistikës ndikon në rritje të aksidenteve.
“Sinjalizimi përkatës, branimet plastike që mos të lejohen që automjeti të fluturojë në lum. Vetëm sinjalizimi nëse ne e shohim, aty ka ardhë si pasojë e mungesës së sinjalizimit dhe informacioneve”, ka deklaruar Deda.
Sipas Raportit të Policisë, në periudhën janar-shtator të këtij viti, janë raportuar 65 aksidente fatale, ku kanë vdekur 70 persona.