Bastisje e arrestime janë kryer në Podujevë për organizim të skemave piramidale dhe bixhoz të paligjshëm. Gjatë këtij aksioni të Policisë janë arrestuar dy persona. Edhe në Prizren është arrestuar një person për organizim të lojërave të fatit
Dy persona janë arrestuar të enjten në një operacion të Policisë në Podujevë, nën dyshimin për organizim të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm. Gjatë këtij aksioni, në njërin lokal ku është zhvilluar kjo veprimtari, Policia ka sekuestruar disa prova materiale.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti në një lokal ka zhvilluar veprimtari ilegale. Njësiti policor në cilësi të provave materiale ka sekuestruar një shtëpizë kompjuteri, dy laptopë, tri aparate për printim të tiketave, tiketa të shtypura dhe një shumë të parave prej 292 eurosh. Me vendim të prokurorit, i dyshuari dërgohet në mbajtje”, ka bërë të ditur Policia.
Edhe në lokalin tjetër ku është zhvilluar aksioni, policia ka sekuestruar para të gatshme, përveç provave materiale.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti në një lokal ka zhvilluar veprimtari ilegale. Njësiti policor në cilësi të provave materiale ka sekuestruar katër aparate të lojërave dhe 1305 euro. Me vendim të prokurorit, i dyshuari dërgohet në mbajtje”, thuhet në njoftimin e PK-së.
Ndaj tyre, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e hetimit.
“Gjatë aksionit të mbrëmshëm, me urdhër të prokurorit të Shtetit janë ndaluar 2 persona për shkak të veprës penale: organizim i skemave piramidale dhe bixhoz i paligjshëm, ndaj tyre është parashtruar kërkesa për caktimin e paraburgimit”, ka njoftuar Prokuroria.
Përveç arrestimeve në Podujevë, një person tjetër është arrestuar edhe në Prizren, për organizim të skemave piramidale.
“Është raportuar se i dyshuari mashkull kosovar, është duke organizuar dhe shpërndarë baste online. Më datë 16.01.2025, i dyshuari është arrestuar dhe nga ai në cilësinë e provave materiale është sekuestruar një telefon mobil. Pas intervistimit me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje”, ka bërë të ditur Policia.
Kosova ka pasur Ligjin për Lojërat e Fatit, por ai është shfuqizuar në vitin 2019. Nga atëherë, janë organizuar disa aksione për bixhoz të paligjshëm.