LAJMET E MBRËMJES

Themelohet Komisioni hetimor për blerjen e teksteve shkollore

Kuvendi i Kosovës ka themeluar Komisionin hetimor për subvencionimin e blerjes së teksteve shkollore. Gjatë debatit ka pasur përplasje e akuza midis deputetëve opozitarë dhe ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci. Opozita e ka vlerësuar të dyshimtë furnizimin me libra shkollorë për vitin shkollor 2023-2024. E në mungesë të kuorumit, në seancën plenare të së enjten sërish ka dështuar votimi i 14 marrëveshjeve ndërkombëtare

Pas një debati mbi 5-orësh, Kuvendi i Kosovës ka miratuar të enjten themelimin e Komisionit hetimor për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore, edhe me votat e deputetëve të subjektit në pushtet.

Themelimi i këtij komisioni është bërë me kërkesë të Partisë Demokratike (PDK), e cila së bashku me pjesën tjetër të opozitës ka propozuar themelimin e një varg komisionesh hetimore gjatë kohëve të fundit. 

Miratimi për themelimin e Komisionit është përcjellë me përplasje të gjata midis deputetëve.
Mimoza Kusari-Lila, shefe e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), ka ironizuar me kërkesat e shpeshta opozitare për hetime.

“Gradualisht krejt aktiviteti i këtij kuvendi po kalon në një institucion hetues profesionist”, ka theksuar ajo.

Ironinë, Kusari-Lila e ka përdorur edhe gjatë prezantimit me ovacione të emrave të anëtarëve të Komisionit.

“Deputetja, anëtare e Komisionit për mbikëqyrje të financave publike, Mirlinda Tishukaj-Sadiku. Dhe, në fund jo më pak nga rëndësia dhe as nga pesha që përfaqëson në grup të LVV-së dhe natyrisht në qendrën e LVV-së, Dega në Prizren, deputeti Arbër Rexhaj”, ka prezantuar ajo emrat, tek priste duartrokitjet e deputetëve të subjektit të saj.

E Arben Gashi, shef i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike – LDK- i ka kërkuar Kusari-Lilës që me entuziazmin e njëjtë të propozojë edhe emrat e anëtarëve për një tjetër komision.
“E ftoj që me të njëjtin elan t’i propozojë edhe 5 emrat për Komisionin hetimor lidhur me kontratat njëburimore dhe të mos e mbajë të bllokuar dhe të mos tallet me arsimin dhe me kolegët e vet, se nuk është mirë”, ka thënë ai.

Lavde për anëtarët që do t’i bashkohen Komisionit kanë thurur deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

“Njeriun që e ka mbajtur gjallë Fakultetin e Mjekësisë, zotin Shemsedin Dreshaj”, e ka prezantuar Besnik Tahiri, kryetar i Grupit Parlamentar të AKK-së.

Por deri në themelimin e Komisionit debati është përcjellë me deklarata të ashpra midis deputetëve opozitarë dhe ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci. Ligjvënës nga subjektet opozitare e kanë kualifikuar si të dështuar furnizimin me libra për nxënësit, si dhe të dyshimtë procesin e subvencionimit për blerjen e tyre për vitin shkollor 2023-24, si edhe për vitet e mëhershme. 

“Në vitet 2016-2017 librat janë blerë 6 milionë (euro), në vitet 2022-2023 me 30 mijë nxënës më pak, librat kanë kushtuar 19 milionë (euro). Nuk po paragjykojmë asgjë, veç po duam të dimë se si u bë që çmimi u trefishua me 30 mijë nxënës më pak”, ka pyetur Abelard Tahiri, shef i Grupit Parlamentar të PDK-së. 

Për t’iu përgjigjur pyetjes dhe kritikave nga opozita, ministrja Nagavci ka marrë një shembull tjetër.
“Furnizimi me tekstet shkollore ka filluar më 2008. Në atë kohë kur ministria drejtohej nga deputeti juaj, Enver Hoxhaj. Librat kanë kushtuar 2 milionë (euro), një vit pas, më 2009, librat kanë kushtuar 9 milionë euro”, ka thënë Nagavci.

Shkaku i tërheqjes së paraleleve me qeveritë e kaluara, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, i ka dhënë ministres Nagavci një propozim. 

“E kam një propozim, krahasohuni me vitin 1999, kur jemi kthyer nga Shqipëria, besomëni shifrat do t’ju dalin më mirë”, ka theksuar ajo. “Deputete, unë nuk jap miliona, unë udhëheq Ministrinë me politika. Unë nuk bëj pazare, nuk jap miliona. Mos e projektoni veten në mua”, iu përgjigj ministrja Nagavci.

Në foltoren e Kuvendit, deputeti i PDK-së, Ardian Kastrati, para se ta mbante fjalimin ka vendosur një pankartë me fotografitë e Nagavcit dhe të Dejona Mihalit, si dhe me një logo të një shtëpie botuese në mes. Deputetë të PDK-së kanë shprehur dyshimin se ministrja e favorizon njërën nga shtëpitë botuese për çështjen e furnizimit me tekste shkollore.

“Ministrja të na tregojë nëse është e vërtetë që më 2020 ka pasur të hyra në deklarim të pasurisë nga kompania ‘Albas’ dhe si është e mundur që më 2021 kjo kompani fitoi miliona euro për furnizim me libra, dhe një vit pas, sërish tender për furnizimin me libra në Preshevë”, ka pyetur deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj.

Ministrja Nagavci nuk i ka mohuar të hyrat nga shtëpia botuese, porse është shprehur se nuk ka asgjë për të fshehur. 

“Gjithçka që unë kam deklaruar, e kam fituar me nder. Nuk mund të më frikësoni, as të më shantazhoni, sepse kurrë në jetën time nuk kam bërë diçka për të fshehur”, ka thënë Nagavci.

Nga 82 deputetët sa kanë qenë të pranishëm në sallë të Kuvendit gjatë votimit të Komisionit hetimor, gjashtë janë larguar menjëherë pas procesit, duke e pamundësuar kuorumin për votimin e 14 marrëveshjeve ndërkombëtare, të cilat të enjten kanë qenë në rend dite të seancës plenare.