Në ceremoninë kryesore të faljes së Fitër Bajramit besimtarë të shumtë u mblodhën në Xhaminë e Madhe në Prishtinë. Në mesazhin e urimit, myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, tha se “të gjithë besimtarët i gëzohen kësaj feste, ngase vjen pas një sakrifice të madhe”. Ai tha se kjo është një manifestim falënderimi për zotin pas agjërimit të muajit të Ramazanit. E qytetarët uruan për paqe e harmoni në botë
Besimtarë të shumtë islamë që në mëngjesin e së mërkurës u mblodhën në Xhaminë e Madhe në Prishtinë dhe në xhamitë e tjera në tërë vendin për ta kryer ritualin e faljes së Fitër Bajramit.
Ceremonisë kryesore, asaj në Prishtinë, i priu myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, i cili tha se të gjithë besimtarët i gëzohen kësaj feste, ngase vjen pas një sakrifice të madhe – agjërimit gjatë muajit të Ramazanit.
Ai foli për familjen dhe rëndësinë e saj, madje u lëshua edhe në deklarata e komente politike për disa projektligje që po i trajton kuvendi.
Tërnava gjatë adresimit të tij, ngriti edhe një çështje që, sipas tij, është fenomen në rritje e mjaft shqetësues. Tha se është rritur ndjeshëm numri i vetëvrasjeve, për çka bëri thirrje për kujdes të shtuar.
“Problemet me të cilat ballafaqohemi gjatë jetës sonë në këtë botë janë të shumta dhe të shpeshta si probleme psikologjike, depresioni i rëndë, ngatërresat e ndryshme, skizofrenia, përvoja të dhimbshme, bullizimi, papunësia, izolimi social, vetmia etj. Megjithatë përkundër këtyre sfidave të ngjashme me të cilat mund të ballafaqohet individi gjatë kësaj jete, duhet ditur që çdo problem, çdo sfidë ka shumë mënyra të zgjidhjes para se njeriu ta marrë vendimin për t’ia shuar jetën vetes apo tjetrit”, ka thënë Tërnava.
E pas faljes së namazit të Fitër Bajramit, qytetarët ia uruan festën njëri-tjetrit e dhanë mesazhe bashkimi e paqeje.
“Ky është shpëtim, duhet bashkuar njerëzit, jo vetëm të thonë Bajram. Ky është për t’u bashkuar njerëzit, mos t’ia kenë njëri-tjetrit inatin”, ka thënë Haxhi Faiku, qytetar.
Ekrem Simnica pati një mesazh për të mirën e gjithë banorëve të botës.
“Ndalim luftërave, ndalim përçarjes, sa më larg tyre kudo qofshin ato, për një unitet, për një bashkim, për një mirëkuptim të mbarë popullit në përgjithësi”, ka thënë ai.
Mesazh urimi dha edhe qytetari Fuad Islami.
“Të gjithë besimtarëve islamë kudo në botë edhe brenda kombit shqiptar, ua uroj këtë festë të madhe të Fitër Bajramit me shpresën e dëshirën për mirëqenie, harmoni, dashuri mes njerëzve, tolerancë, mirëkuptim dhe paqe në rruzullin tokësor”, është shprehur ai.
Festa e Fitër Bajramit vjen pasi myslimanëve gjatë 30 ditëve të Ramazanit u kërkohet të agjërojnë, të tregojnë mirësi dhe durim, si dhe t’i forcojnë marrëdhëniet e tyre me zotin.