Një ditë para festës së Bajramit, myftiu Naim Tërnava i përgëzoi besimtarët myslimanë për përmbylljen e muajit të agjërimit. Tek e përcolli mesazhin e tij, Tërnava tha se Fitër Bajrami, që do të shënohet të dielën, është një mundësi për të kërkuar paqe e lumturi
Në ditën e fundit të Ramazanit, myftiu Naim Tërnava ka përgëzuar besimtarët myslimanë për përmbylljen e muajit të agjërimit dhe shprehu urimin për festën e Fitër Bajramit, që shënohet të dielën.
Në mesazhin e tij, myftiu i Kosovës e vlerësoi festën e Bajramit si një moment të veçantë të reflektimit shpirtëror, të mirësisë dhe të harmonisë midis njerëzve.
“Për një muaj me radhë, agjërimi mbushi zemrat dhe shpirtrat tanë me një ndjenjë të veçantë paqeje, qetësie e pse jo edhe krenarie. Andaj, festa e Fitër Bajramit është mundësi për të shprehur mirënjohjen dhe gëzimin për arritjen e pastrimit shpirtëror që është shoqëruar me përkushtim dhe devocion”, ka thënë myftiu Tërnava.
Ai ka folur edhe për festën e Fitër Bajramit, që e pason muajin Ramazan.
“Fitër Bajrami është festë përbashkuese për myslimanët në mbarë botën, festë që simbolizon triumfin shoqëror, momente gëzimi dhe reflektimi që shpreh faljen, mirësimin dhe bashkimin familjarë dhe shoqëror, vlera këto që i japin kuptim të thellë social e gjithsesi edhe shoqëror”, ka thënë Tërnava. “Duke pasur parasysh se namazi i Bajramit është një mundësi reale për të shprehur falënderimin për mundësinë që na dhuroi Zoti për agjërimin e këtij muaji të bekuar, është momenti kyç për të kërkuar dhe reflektuar paqe dhe lumturi për vetën, familjen dhe besimtarët mbarë ngase kjo është një formë e thellë e lidhjes shpirtërore me Zotin dhe një shenjë e besimit të vazhdueshëm në Zotin një”.
Për një muaj, besimtarët myslimanë agjëruar, duke u përmbajtur nga ushqimi prej agut deri në perëndim të diellit. Përfundimi i Ramazanit pasohet me festën e Fitër Bajramit.
Manifestimi qendror për Bajram mbahet të dielën në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, pas faljes së namazit të sabahut.