LAJMET E MBRËMJES

Tensione mes deputetëve, kryesuesja thërret sigurimin për zhbllokimin e foltores

Pas propozimit të një rezolute për adresimin e gjetjeve nga raporti i DASH-it, deputeti i Partisë Demokratike (PDK), Abelard Tahiri, ka bërë edhe një propozim më konkret se si Kuvendi mund ta parandalojë korrupsionin qeveritar. “Ky Kuvend duhet të mblidhet dhe të diskutojë për datën e zgjedhjeve, sepse ky Kuvend është shndërruar edhe në një barrierë për t’i mbrojtur të korruptuarit në vendin tonë”, ka theksuar ai

Deputetët opozitarë kanë ngritur shqetësimin në seancën plenare të së enjtes se gjetjet e raportit të Departamentit amerikan të Shtetit (DASH) për Kosovën kanë vënë në pah korrupsion serioz qeveritar, për adresimin e së cilës çështje ata kanë propozuar edhe një rezolutë.

Raporti i DASH-it, i publikuar më 22 prill, ka theksuar se nuk ka pasur ndryshime domethënëse gjatë vitit 2023 për situatën e të drejtave të njeriut në Kosovë. Ndër raportimet më të rëndësishme në lidhje me të drejtat e njeriut ishin problemet serioze me pavarësinë e gjyqësorit; kufizimet serioze ndaj lirisë së shprehjes dhe lirisë së mediave, përfshirë edhe nëpërmjet dhunës apo kërcënimeve ndaj gazetarëve; korrupsioni serioz i qeverisë; dhuna e gjerë me baza gjinore, përfshirë dhuna në familje, apo ndaj partnerëve; si dhe krimet e dhunshme, apo kërcënimet për dhunë ndaj pakicave etnike dhe komunitetet e tjera.

E për adresimin e këtyre gjetjeve, deputeti i Partisë Demokratike (PDK), Abelard Tahiri, ka bërë edhe një propozim më konkret se si, krahas rezolutës, Kuvendi mund ta parandalojë korrupsionin qeveritar.

“Ky Kuvend duhet të mblidhet dhe të diskutojë për datën e zgjedhjeve, sepse ky Kuvend është shndërruar edhe në një barrierë për t’i mbrojtur të korruptuarit në vendin tonë”, ka theksuar ai.

Kritika në llogari të Qeverisë lidhur me raportin e DASH-it ka shprehur edhe shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri.

“Në faqen e parë ky raport thotë që kjo Qeveri ka problem serioz me korrupsionin. Në raporte të DASH-it, nuk përdoren fjalët në këtë Qeveri ka hajni, në këtë Qeveri ka vjedhje, në këtë Qeveri ka tenderë njëburimorë”, ka thënë Tahiri.

Më i ashpër në kritikë është treguar deputeti i Lidhjes Demokratike (LDK), Armend Zemaj.

“Tani me vulën e SHBA-së jeni hajna të certifikuar. Sepse Qeveria që erdhi në pushtet për ta luftuar korrupsionin po emërtohet korrupsion serioz qeveritar”, ka thënë Zemaj.

Pasi që në pjesën e seancës për diskutimin e raportit të DASH-it kryeministri Albin Kurti nuk ka qenë i pranishëm në sallën e Kuvendit, në emër të Qeverisë janë deklaruar disa nga ministrat.

Ai i Financave, Hekuran Murati, me gjithë gjetjet e raportit dhe kritikat e opozitës, ka vlerësuar nëpërmjet një metode të sasisë se korrupsioni në Qeverinë aktuale është përgjysmuar.

“Në vitin 2023 fjala korrupsion në raportin e DASH-it është përmendur 12 herë. Në vitin 2019 ka qenë 24 herë e përmendur”, ka thënë Murati. “E shohim që në disa raste edhe vetë raportuesi ose kushdo që e ka hartuar raportin ka rënë pre edhe e dezinformatave të mediave të cilat pra ende janë pjesë e gardës së vjetër e madje edhe disa organizatave të shoqërisë civile që maskohen si të tilla”.

Për t’i replikuar ministrit Murati, një deputeti të PDK-së nuk i është dhënë fjala. E kjo ka nxitur tensionim dhe bllokim të foltores së Kuvendit.

Kur deputeti i PDK-së, Ferat Shala, ka bërë përpjekje për t’i rezistuar vendimit duke e penguar fjalimin e shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Mimoza Kusari-Lila, asaj për ndihmë te foltorja i ka dalë bashkëpartiaku, Salih Zyba. E pasi thirrjet e kryesueses së seancës, Saranda Bogujevci, për qetësimin e situatës nuk u përfillën nga deputetët, ajo ka ftuar në sallë edhe pjesëtarët e sigurimit. Por deputetë Shala e Zyba më pas janë larguar nga foltorja teksa sigurimi nuk pati nevojë që të intervenojë. 

Në vazhdim të seancës, ministrat qeveritarë kanë përdorur edhe gjuhë fyese ndaj opozitës.

“Për ne si qeveri është fatkeqësi me e pasë një opozitë pa kauzë, pa plan, pa strategji... Ju kështu jeni, kishim dashtë një opozitë tjetër, jo kështu si palaço qysh po funksiononi”, ka thënë Albulena Haxhiu, ministre e Drejtësisë.

Debati mbi raportin e Departamentit amerikan të Shtetit ka zgjatur mbi pesë orë.