Telekomi i Kosovës ka kërkuar zhbllokimin e menjëhershëm të llogarive të saj, një ditë pas bllokimit të tyre me vendim të Gjykatës Komerciale, shkaku i borxhit prej 5.7 milionë eurosh ndaj kompanisë “Z-Mobile”. Bllokimi i llogarive, sipas Telekomit, rrezikon t’i lërë punëtorët pa paga dhe të ndalë investimet e planifikuara në këtë ndërmarrje
Punëtorët e Telekomit rrezikojnë të mbesin pa pagat e muajit shkurt, shkaku i bllokimit të llogarive bankare me vendim të Gjykatës Komerciale, në emër të borxhit prej 5.7 milionë eurosh ndaj “Z-Mobile”. Një ditë pas bllokimit, menaxhmenti i Telekomit ka kërkuar shkarkimin e përmbaruesit Irfan Kërçagu, si dhe zhbllokimin e llogarive.
I kontaktuar nga KOHA, Kërçagu ka refuzuar t’i komentojë akuzat nga ndërmarrja. E krahas tij, kritika Telekomi i adresoi edhe Gjykatës Komerciale për vendimin që, sipas tij, i hap rrugë një përmbaruesi tjetër për të vazhduar me veprime të jashtëligjshme për përvetësim të parasë publike.
“Kjo, për bindjen tonë bëhet me qëllim që pronarëve të Dardafon.net L.L.C. përmes bizneseve të tjera t’u mundësojë që në bashkëpunim me partnerë nga vendet jomike, që nuk e njohin Republikën e Kosovës, të sfidojnë konkurrencën në treg. Marrëveshjet e fundit mes këtyre bizneseve tregojnë qartë përpjekjen për të monopolizuar tregun e telefonisë fikse, internetit dhe përmbajtjes televizive në Kosovë. Kjo për bindjen tonë rrezikon jo vetëm të drejtat e qytetarëve, por edhe sigurinë e vendit”, thuhet në reagimin e Telekomit.
Telekomi përmend edhe rrezikimin e investimeve në modernizimin e rrjetit mobil e fiks, si dhe të marrëveshjeve të tjera biznesore të arritura viteve të fundit.
Vendimi i Komerciales lidhet me kontestin e dalë nga Arbitrazhi i vitit 2016, që e obligon Telekomin t’ia paguajë “Z-Mobileit” edhe 5.7 milionë euro shtesë.
Deri më tani, Telekomi ia ka paguar “Z-Mobileit” 40 milionë euro në emër të dy proceseve të Arbitrazhit, një më 2016, dhe një tjetër për mosvazhdimin e kontratës, më 2019.
E Lamih Balaj, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit, ka paralajmëruar protesta në rast të moszhbllokimit të llogarive.
“Ka me pasë protesta, greva, por në rast se nuk ndodh një intervenim i shpejtë i shtetit duhet të dihet që do të ketë edhe kaos social, sepse punëtorët mbesin pa të ardhura. Veprimet i marrim në bazë të Këshillit organizativ të protestave dhe grevave që tashmë është koha për kryerjen e këtyre”, ka deklaruar Balaj.
Balaj ka kërkuar që Ministria e Ekonomisë dhe kryeministri të marrin masa rreth gjendjes në Telekom.
Kjo nuk është hera e parë që Telekomit i bllokohen llogaritë, shkaku i borxhit ndaj kompanisë “Z-Mobile”.