Telekomi i Kosovës ka reaguar kundër vendimit të Gjykatës Komerciale, që ia refuzoi prapësimin e urdhrit përmbarimor për borxhin ndaj “Dardafon.net”. Komercialja e detyroi Telekomin ta paguajë shumën prej 5.7 milionë eurosh. E për këtë vendim, në Telekom ngritën akuza ndaj sistemit gjyqësor për, siç thanë, dështimet në adresimin e kontestit ligjor me kompaninë e njohur si Z-Mobile
Telekomi i Kosovës ka ngritur akuza ndaj sistemit gjyqësor për dështimin e përsëritur në adresimin e drejtë të kontestit ligjor midis kësaj ndërmarrjeje dhe kompanisë “Dardafon.net”.
Reagimi e ka pasuar vendimin e Gjykatës Komerciale, që ia refuzoi prapësimin e urdhrit përmbarimor ndaj “Dardafonit”, duke e detyruar Telekomin që ta paguajë borxhin e arbitrazhit prej mbi 5.7 milionë eurosh.
“Telekomi i Kosovës ndodhet në një situatë, ku veçse ka paguar shumën prej më shumë se 40 milionë eurosh, pavarësisht detyrimit të obliguar në vlerë prej 27.6 milionë sikurse ishte përcaktuar në Vendimin e Arbitrazhit (afërsisht 13 milionë mbipagesa që duhet të kthehen nga Dardafon). Kështu, në një proces gjyqësor në shkelje flagrante të parimeve themelore procedurale, të dokumentuar si të ndikuar nga Dardafon.net, Telekomi detyrohet të paguajë më shumë se dyfishin e detyrimit nga një gjykatë shtetërore”, thuhet në reagim.
Lidhur me akuzat e ngritura, KOHA adresoi pyetje edhe në Komerciale, por nga kjo instancë thanë se nuk i komentojnë vendimet e nxjerra.
Për këtë rast përmbarimor ishte bërë një ekspertizë financiare, që pati përcaktuar se Telekomi ka mbetur pa ia paguar “Dardafonit” një shumë prej mbi 5.7 milionë eurosh. Kjo ishte kundërshtuar nga Telekomi.
Por, sipas Gjykatës, kundërshtimet e debitorit janë të pabazuara, pasi që baza dhe pikënisja e tërë kalkulimit të detyrimit është vendimi përfundimtar i Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit mes palëve, më 9 dhjetor të 2016-s.
Telekomi i ka paguar afro 40 milionë euro Z-Mobiles, bazuar në dy vendime të Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit. Vendimi i parë ndërlidhet me marrëveshjen mes “Dardafonit” dhe Telekomit, nga janari i 2009-s, ku Telekomi obligohej që t’i paguante rreth 30 milionë euro gjobë në emër të shpërblimit të dëmit, fitimit të humbur dhe shpenzimeve të procedurës së Arbitrazhit.
Z-Mobile e pati fituar edhe rastin e dytë në Arbitrazh, pas mosvazhdimit të kontratës, për të cilin ndërmarrja ishte detyruar që t’i paguante 11 milionë euro shtesë.