Ashtu si 110 vjet më parë, nëntori i ka bërë bashkë përfaqësuesit e popullit të Kosovës dhe të Shqipërisë. Për dallim nga atëherë, u takuan në Tiranë, e jo në Vlorë.
Pati edhe një dallim: Në parlamentin e Shqipërisë ku u organizua takimi, u shfaqën dy flamuj dhe u intonuan dy himne shtetërore, të cilat u paraprinë fjalimeve, nëpërmjet të cilave u bë thirrje për mbrojtjen e interesave të përbashkët kombëtarë.
Kryeparlamentarja e Shqipërisë dhe homologu i saj nga Kosova vlerësuan se bashkëpunimi mes dy vendeve i kontribuon bashkësisë shqiptare në Ballkan.
“Kjo vetëdije e një strategjie të përbashkët vendimesh, nuk i kundërvihet asnjë bashkësie tjetër në rajon. Të shndërrojmë kufijtë në kufij formal mes nesh, por edhe me vendet fqinje të rajonit”, tha kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla.
“Sa më afër njëra-tjetrës Shqipëria me Kosovën, aq më lehtë do të jetë për t’i mbrojtur interesat jetike të kombit tonë. Ne do të mund të shënojmë arritje të radhës si komb vetëm nëse e kombinojmë, mençurinë e Ukshin Hotit, atdhedashurinë e Adem Demaçit, maturinë e Fehmi Aganit, përgatitjen e Gazmend Zajmit dhe mendjemprehtësinë e Arbën Xhaferit”, tha kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.
Kryeministri i Kosovës dhe ai i Shqipërisë kanë polemizuar jo rrallëherë në distancë dhe shpesh janë identifikuar si përgjegjës për zbehjen e raporteve mes dy vendeve. E, para deputetëve të të dyja shteteve, ata shprehën nevojën për bashkëpunim dhe jo pengim të njëri-tjetrit.
“Duhet të gëzohemi kur përfshihemi sa më shumë në çështjet publike të njëri-tjetrit, jo për të penguar por për të kontribuar. Hapësira jonë publike, politika, kultura, ekonomia nuk janë çifligje të bllokuara me tapi, por kalaja e përbashkët, ku e vëmë të gjithë nga një gur”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
“Shqiptarët nuk kanë qenë kurrë më mirë në raport me të huajt, por nga ana tjetër nuk janë më mirë në raport me vetveten”, tha kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Fjalimin e Ramës e bojkotuan deputetë e Partisë Demokratike të Shqipërisë, në opozitë.
Mbledhjen e dy kuvendeve e përshëndetën kryetarët e grupeve parlamentare të të dyja kuvendeve. Mes tyre, edhe ai i grupit parlamentar të PSHD-së, Enkelejd Alibeaj, i cili lansoi kritika për “Ballkanin e Hapur”, nismë rajonale për të cilën Tirana dhe Prishtina kanë ndarjen më të thellë.
Mbledhja e së dielës është e para e përbashkët mes dy Kuvendeve, së cilës i kanë paraprirë disa mbledhje të mbajtura nga dy qeveritë. Ekzekutivët e të dyja vendeve kanë firmosur dhjetëra marrëveshje që kanë për qëllim rritjen e bashkëpunimit me fokus në fushën e ekonomisë.