Profesioni i IT-së është i pakonkurrencë për mundësitë e punësimit që i ofron. Por, në mungesë informimi për mundësitë e punësimit, jo shumë të rinj ndjekin profilet e IT-së. Profesorë të shkollave të mesme shtrojnë nevojën që Ministria e Arsimit t’i përshtatë planprogramet dhe tekstet shkollore sipas kërkesave të tregut të punës.
Lir Ballata ndjek studimet në shkencat kompjuterike, një profesion që në epokën e teknologjisë është i pakonkurrencë për mundësitë e punësimit që i ofron. Të diplomuar në këtë profesion, punojnë nga distanca edhe për kompani ndërkombëtare, me bazë në shtete të ndryshme.
Ballata përmend dy arsye pse të rinjtë nuk po i vijojnë mjaftueshëm drejtimet që kanë të bëjnë me teknologjinë informative.
“Ndoshta që u duket pak si vështirë në fillim, ose nuk kanë vetëbesim”, thotë ai, dhe theksin e vë tek arsyeja tjetër. “Nuk ka edhe kush t’i orientojë, pasi ta kryejnë maturën. Njëjtë edhe unë nuk kam qenë i informuar se çka do të ishte më tutje. Në informim mendoj që ka mungesë”.
Ballata përmend edhe një problem tjetër, që e prek gjithë arsimin profesional.
“Tjetra është që shumica po e lënë. Nuk po vazhdojnë, sepse nuk po ka praktikë”, ankohet ai. “Shumë kompani kur po kërkojnë punëtorë, po e lypin eksperiencën. E të rinjtë nuk po munden që atë eksperiencë ta fitojnë diku”.
Profesorë të shkollave profesionale shtrojnë nevojën që planprogramet dhe tekstet shkollore të përshtaten sipas kërkesave të tregut të punës.
Një nga ta Valbonë Dragusha, profesoreshë në shkollën e mesme profesionale “Gjin Gazulli” në Prishtinë.
“I bëj thirrje MASHTI-t që të bëjë një përshtatje të planprogrameve me tregun e punës, në mënyrë që nxënësit më të vërtetë ta kenë më të lehtë të arrijnë te tregu i punës dhe të bëhen kushte më të mira nëpër shkolla profesionale, që nxënësit ta kenë mundësinë ta organizojnë praktikën profesionale në mënyrën më të mirë të mundshme”, ka thënë ajo. “Gjithashtu edhe që të kenë më shumë koordinatorë më shumë të praktikave profesionale, dhe të bëhen marrëveshje me bizneset”.
Në “Ditën e Orientimit në karrierë në fushën e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit”, PBC Academy ka organizuar një sesion informues mbi orientimin në karrierë për maturantët.
Gazmend Selmani, themelues i PBC Academy, thotë se institucioni të cilin e drejton është duke u angazhuar në krijimin e kuadrove të profilit të teknologjisë së informacionit për të plotësuar kërkesat e tregut në vend, por edhe për të punuar jashtë.
“Duhet të promovohen nevojat e tregut të punës sa më shumë për shkollat e mesme, te maturantët dhe të udhëzohen ata që të ndjekin këto profile në të cilat ka kërkesë të madhe globale dhe mundësitë që vijnë nga ky profil në kontekstin e pagave, në kontekstin e themelimit të start-up kompanive, në kontekstin e eksportit të shërbimeve e të tjera”, ka thënë Selmani. “Kërkesa e madhe, digjitalizimi i madh, niveli i madh i digjitalizimit në botë e ka rritur kërkesën për profesionistë të fushës dhe mandej kërkesa ka pasur disproporcion me ofertën dhe e kemi këtë mangësi të kuadrove në treg”.
Në epokën e digjitalizimit, është rritur kërkesa për profesionistë të teknologjisë së informacionit. Në mungesë të profileve të reja në këtë fushë, por edhe në mungesë informimi, pjesa më e madhe e të rinjve konkurrojnë në programe studimi të shkencave shoqërore.