LAJMET E MBRËMJES

Të mërkurën nis numërimi i votës së diasporës – PDK do hetim për 868 zarfe

Anëtarë të KQZ-së, të deleguar nga dy partitë kryesore, kanë shprehur mospajtim mes tyre, në lidhje me mënyrën e hetimit dhe trajtimit të dyshimeve për keqpërdorime në ditën e zgjedhjeve. Derisa ai i PDK-së ka kërkuar formimin e komisioneve hetimore nga KQZ-ja, ai i LVV-së ka insistuar se fillimisht punën duhet ta kryejë Prokuroria. Të mërkurën do të nisë numërimi i votës së diasporës

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka refuzuar 868 zarfe të tjera, të dërguara nga mërgata, pasi votuesit kanë dërguar votën e tyre më shumë se një herë. 

Në mbledhjen e KQZ-së të martën, e dyta që nga mbajtja e zgjedhjeve, përfaqësues të Sekretariatit kanë konfirmuar se deri më tani janë refuzuar 4 mijë e 865 zarfe të ardhura me postë, derisa për t’u vlerësuar kanë mbetur edhe 729 sosh. Prej 68 mijë e 712 zarfeve me vota sa janë dërguar nga diaspora, 62 mijë e 990 prej tyre janë miratuar. Numërimi i tyre do të nisë të mërkurën nga ora 16:00.

“Sa i përket arsyeve të refuzimit të 4 mijë e 865 zarfeve me fletëvotime, 2 mijë e 870 zarfe nuk janë proceduar, pasi votuesit ishin të anuluar gjatë fazës së aplikimit për regjistrim si votues jashtë Kosovës, 310 zarfe janë refuzuar, pasi fletëvotimi nuk ka qenë i personalizuar (një person – një fletëvotim), 24 zarfe janë refuzuar, pasi nuk kanë pasur pullë/vulë postare, 138 zarfe janë refuzuar, pasi votuesit i kanë dërguar nga një shtet tjetër nga ai që kishin deklaruar gjatë regjistrimit”, ka deklaruar Besnik Buzhala, drejtor i Sekretariatit të KQZ-së.

Sipas Buzhalës, 178 zarfe të tjera janë refuzuar sepse nuk kanë pasur fletëvotim, 432 zarfeve pasi u ka munguar dëftesa e regjistrimit e 45 zarfe janë refuzuar, pasi votuesit kanë dërguar fletëvotimin me dokument identifikues të Kosovës dhe nuk kanë përfshirë dëftesën e regjistrimit.

Për hetimin e votave të dyfishta të ardhura nga jashtë, anëtari i PDK-së në KQZ, Ilir Gashi, ka kërkuar që të krijohet një komision hetimor.

“Personat të cilët kanë votuar nga dy herë, duhet të hetohet nëse janë persona që vet e kanë bërë atë apo ka mundur edhe dikush në emër të tyre ta bëjë për herë të dytë sepse mund ta ketë pasur dikush certifikatën e tyre dhe e ka përdorur. Këto duhet të bëhen objekt i Prokurorisë. Të gjitha verifikimet e votimit të dyfishtë nga ana e qytetarëve të cilët ose vetë e kanë keqpërdorur ose e ka keqpërdorur dikush në emër të tyre”, ka thënë Gashi. 

Ai ka theksuar se një grup i tillë duhet të merret edhe me hetimin e rasteve të dyshimeve për keqpërdorime në Gjakovë e Mitrovicë.

“Unë kërkoj nga ju që ta bëjmë një komision për të hetuar edhe kutinë në Gjakovë mbi të cilën është thënë se ka qarkulluar ‘treni bullgar’, kutia 020706. Ajo kuti është numëruar. Kërkoj që të largohet nga rezultati deri në një hetim përfundimtar dhe këtu ju duhet ta bëni një komision edhe brenda, pavarësisht përfundimeve që mund të dalin nga organet e drejtësisë”, ka thënë Gashi.

Hetime, Gashi kërkoi edhe për votimin në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës pas mbylljes së vendvotimeve. 

“Votimet mbyllen në orën 19:00 në bazë të ligjit dhe edhe ne si KQZ nuk kemi qenë të njoftuar. Zyrtarja kanë dërguar ekipin pas orarit, pas mbylljes së votimeve prandaj duhet të bëhet një komision të hetohet edhe kjo kuti dhe më pastaj të vijmë në përfundime nëse këto duhet të jenë pjesë e rezultateve përfundimtare apo jo”, ka thënë ai, derisa ka shtuar se pa hetimin e plotë të këtyre çështjeve, do të jetë problematike përfshirja e numërimit të tyre në rezultatin përfundimtar.

Me Gashin e PDK-së nuk u pajtua anëtari i Vetëvendosjes në KQZ, Alban Krasniqi. Kërkesat e Gashit për formimin e komisioneve e mospërfshirjen e numërimit të votave të vendvotimeve ku dyshohet se ka keqpërdorime, i ka konsideruar të pashëndetshme e në dëm të reputacionit të KQZ-së.

“Për kutinë në Gjakovë organet veç janë duke u marrë dhe ne nuk kemi nevojë të ndërmarrim një veprim tjetër përveç asaj çka organet e hetuesisë i kanë marrë materialet, i shikojnë edhe në bazë të kësaj pastaj edhe ato vijnë me një raport dhe në bazë të të cilit edhe ne veprojmë”, ka thënë Gashi.
Në lidhje me kutinë me vota në Mitrovicë, Krasniqi ka thënë se në bazë të raportit të Komisionit Komunal në të ka pasur probleme teknike.

Megjithëkëtë ai ka pranuar se ka pasur probleme sa i përket mbledhjes së votave të personave me nevoja të veçanta e të pacientëve.

“Është edhe përgjegjësi e KQZ-së në këtë drejtim apo e KKZ-së së Prishtinës në ato që nuk e ka filluar prej mëngjesit ose e ka filluar prej orës 18:30 të mbrëmjes apo edhe kush i ka ndalur. Të merremi me realitetin dhe me zgjidhjet praktike të tyre bazuar në standarde dhe ligje, por bazuar edhe në kushtetutë që secili qytetarë ka të drejtën të votojë dhe ti si institucion je i obliguar t‘ia ofrosh secilit këtë të drejtë. S’ke të drejtë t’ia ndalosh. Është diçka që ka ndodhur në këtë rast, sidomos te votimi me nevoja të veçanta nuk është që ka funksionuar mirë në terren”, ka thënë ai.

Por, Ilir Gashi i PDK-së ka thënë se adresimi i problemeve të evidentuara nga KQZ-ja ndihmon në mbrojtjen e institucionit e jo në cenimin e tij dhe se do të kursente kohën e trajtimit të ankesave eventuale.

“Nuk mund t’i lëmë të shkojnë këtu, të rrjedhin si mos me ndodhë kurrgjë. Kjo është pse po kërkoj. Nuk është çështja këtu me cenu integritetin e institucionit. Pikërisht është për ta mbrojtur institucionin”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, konfirmoi që të mërkurën do të nis numërimi i votave nga qendrat e votimit jashtë Kosovës.

Aktualisht, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar skanimi i listave përfundimtare të votuesve. Deri në mesditën e së martës janë skanuar 890 lista nga 2 mijë e 533 sosh.