Ura mbi Ibër vazhdon të jetë e mbyllur për qarkullimin e veturave. Me gjithë paralajmërimet për hapjen, në hapësirat e saj ende nuk kanë përfunduar punët. Mbi të, në pozicionet e zakonshme edhe të hënën qëndruan karabinierët italianë, ndonëse në vazhdimësi kishte lëvizje të numrit të tyre. E misioni i NATO-s në Kosovë ka përsëritur qëndrimin se vendimi për hapjen e saj duhet të merret në dialogun e lehtësuar nga BE-ja.
Ministria e Infrastrukturës është në pritje të raportit të testimeve të bëra javën e kaluar në lidhje me stabilitetin e urës mbi Ibër. Derisa rezultatet pritet të shpalosen të martën, punëtorët kanë vazhduar punën edhe të hënën në rivitalizimin e urës në aspektin vizual të saj. Pjesëtarë të KFOR-it vazhdojnë të qëndrojnë në hyrjen e urës nga veriu, derisa kohë pas kohe ndryshonte numri i tyre.
Në lidhje me lëvizjet e karabinierëve nuk kanë pranuar të shpalosin hollësi nga misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i.
Në një përgjigje me shkrim për KOHA-n, thanë se prania e tyre është e “përhershme e fikse në urë”.
Edhe njëherë përsëritën qëndrimin që vendimi për hapjen e saj duhet të merret në dialog, derisa sërish paralajmëruan për ndërhyrjet eventuale.
“Misioni i KFOR-it, i udhëhequr nga NATO ka një prani të përhershme, fikse në urë dhe vazhdon të kryejë patrullime të rregullta në zonat përreth për të garantuar stabilitet dhe siguri, për të mirën e të gjitha komuniteteve lokale. Ne kemi një qëndrim fleksibël në tokë. Ne nuk do të hezitojmë të trajtojmë çdo zhvillim që mund të ndikojë në mjedisin e sigurisë dhe stabilitetin rajonal, në respekt të plotë të mandatit tonë të OKB-së. Qëndrimi ynë për këtë çështje ka qenë i qartë, transparent dhe konsistent gjatë gjithë kohës. Çdo vendim në lidhje me hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër duhet të merret në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, të cilin ne e mbështesim plotësisht”, u tha nga KFOR-i.
Të hënën, puna kryesore kryhej mbi urë. Hapësirat e saj rregulloheshin e ngjyroseshin nga personat përgjegjës.
Puna e rregullimit të hapësirave nën të dukej se është drejt fundit. Për dallim nga herët e kaluara, aty nuk u panë punëtorët tek ngjyrosin muret, derisa mjetet e punës ishin ato që kishin mbetur pas.
Por, përderisa hapësira nën urë nga ana e jugut nga ngjyrosja kishte marrë pamje tjetër nga ajo që kishte javën e shkuar, ndryshime nuk kishte hapësirë në pjesën veriore.
Grafitet, mbishkrimet e shumta në shqip e serbisht, madje edhe ato me mesazhe nacionaliste, mbulonin të gjithë hapësirën.
Testimi i qëndrueshmërisë së urës, rivitalizimi vizual i saj e diskutimet me qytetarë e grupet e interesit janë pjesë e planit të prezantuar nga Qeveria për hapjen e Urës së Ibrit.
Një veprim i tillë përveç NATO-s nuk përkrahet nga vendet e QUINT-it e as nga Bashkimi Evropian.
Që të gjithë njëzëri kanë kërkuar diskutimin e kësaj çështjeje në bisedimet me Serbinë, gjë e cila është kundërshtuar nga udhëheqësit institucionalë, në mesin e të cilëve edhe nga presidentja Vjosa Osmani.