Ishte ftuar për të diskutuar për një raport të auditimit, porse ministri i Financave, Hekuran Murati, u përball të martën me kritikat e deputetëve të opozitës në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave, lidhur me rritjen e tatimit në pronë.
Kryetarja e këtij Komisioni, Hykmete Bajrami, e fajësoi ministrin Murati për ngritjen e vlerës së tatimit, përderisa i kërkoi që ta shfuqizonte vlerësimin në pronë.
“Sipas çmimeve të tregut, vlera e patundshmërive është rritë qind për qind. Komuna e Prishtinës nuk i ka lëvizë tarifat, por kur është rritë baza tatimore, normalisht që është dyfishuar. Ajo çka kërkohet është që Ministria e Financave ta pezullojë rivlerësimin. Komunat në momentin e tanishëm nuk mund të bëjnë asgjë. Komuna e Pejës e ka ulë tatimin, por prapë faturat shkojnë të rritura si rezultat i rritjes se çmimit bazuar në rivlerësim”, tha Bajrami.
Diskutimin e zhvilluar, ministri Murati e kualifikoi si tendencë për ta politizuar çështjen.
“Duhet ta kuptoni që ka pasur edhe raste që me vite të tëra s’kanë qenë të vlerësuara fare nga pushtetet e kaluara. Ose për një shtëpi apo një banesë metri katror ka kushtuar 800-900 euro, është vlerësuar 300-400 euro, që ka qenë nënvlerësim. Po ashtu, ka ndodhur në të kaluarën që toka që është vlerësuar për tatim në pronë në vlerë 100 euro ari, kur ka ardhur çështja te shpronësimi, është shpronësuar me 10 mijë euro ari. Kjo shpërputhje nuk mund të vazhdoj më”, tha Murati.
Pas kësaj, ai e lëshoi mbledhjen e Komisionit. U përkrah nga deputetët e partisë së tij, të cilët e vlerësuan jokorrekt iniciativën e kryetares për të diskutuar mbi çështje për të cilën Murati nuk ishte ftuar të raportonte.
“Për me funksionuar ky komision duhet me I respektuar edhe kolegët edhe mysafirët që e ftuar. Nuk mendoj se është korrekte, është duke ndodhur shpeshherë prej jush si kryetare e komisionit dhe besoj që duheni me qenë më korrekt në organizimin e mbledhjeve, për shkak se është përgjegjësie juaja si kryetare e Komisionit”, tha deputeti i Vetëvendosjes, Eman Rrahmani.
Krahas Muratit, mbledhjen e Komisionit e lëshuan edhe deputetët tjerë të Vetëvendosjes – Yllza Hoti, Arta Bajralia, Mirlinda Tishukaj Sadiku e Halil Thaçi.
E deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, e kritikoi ministrin që nuk dha përgjigje për çështjen e tatimit.
“Si rezultat i rivlerësimit është rritë tatimi. Nuk e di pse ikë ministri për mos me dhënë përgjigje. Prandaj, nuk tha asgjë ministri. Edhe qytetarët iu kanë ikur pas gjashtë muajve në zgjedhjet lokale. E tash në zgjedhjet qendrore, po ikni ju pushteti prej qytetarëve”, tha Beqa.
Rritja e tatimit është kritikuar gjatë ditës edhe nga deputetë të tjerë të opozitës. Ata e fajësuan Qeverinë për varfërimin e qytetarëve, duke kërkuar që ta pezullojë rivlerësimin e pronave.