Përmbyllja e seancës konstituive të së hënës pa votim të kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje për kryeparlamentar i thelloi polemikat në distancë mes përfaqësuesve të partisë më të madhe dhe atyre që deri më tani kanë qenë në opozitë.
Tek komentoi mbi bllokadën pas përfundimit të seancës, deputetja e LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, theksoi që në rast se partitë vazhdojnë të mos e votojnë kandidaten Albulena Haxhiu, atëherë as Vetëvendosja nuk do të votojë për nënkryetarët e Kuvendit të propozuar nga tabori tjetër politik.
“Nuk e shohim këtë proces që duhet të merret si i mirëqenë që domethënë: ‘Ju bëjini numrat për kryetarin e Kuvendit e mandej ju na i votoni kryetarët e Kuvendit’. Jo! Nëse dëshironi që të keni Kuvend të konsitutuuar, kryetarin e Kuvendit e votojmë bashkë, pastaj edhe nënkryetarët e Kuvendit i votojmë ne... Rregullorja e punës e Kuvendit nuk e thotë domosdo se ata votohen në pako e thotë që të votohen dhe pastaj si procedurë është aplikuar deri më tani. Por, e ndërrojmë atë procedurë – ta shohim se si po i bëjnë votat për nënkryetarët individualisht”, tha Kusari-Lila.
Lidhur me opsionin e mbajtjes së zgjedhjeve të reja, Kusari-Lila theksoi që edhe në rast se konsultimet me partitë e tjera prodhojnë pajtim, nevojitet që legjislatura së pari të konstituohet.
“Ne nuk e kemi asnjë qëllim që ta bllokojmë formimin e Kuvendit, gjegjësisht konstituimin e lidershipit, kryetares, nënkryetarëve të Republikës, por me këto qasje të cilat në mënyrën se si tregohen ose si po barrikadohen nga partitë tjera parlamentare, me të vërtetë duhet të dakordohemi në një temë tjetër: t’i thërrasim të gjitha grupet politike, të konstituojmë Kuvendin dhe të dakordohemi që me 80 vota e shpërndajmë menjëherë Kuvendin dhe shkojmë me zgjedhje të tjera”, tha ajo.
E që legjislatura e re të formohet, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, kërkoi që LVV-ja ta ndryshojë emrin e propozuar për kryetar të Kuvendit.
“Rrugëdalja është e qartë, Lëvizja Vetëvendosje duhet ta zgjedhë një kandidat tjetër dhe mos ta lënë peng Kuvendin e Kosovës, por edhe Qeverinë e ardhshme, për çfarëdo teke. Kandidatja Haxhiu nuk do ta këtë mbështetjen tonë në asnjë rrethanë dhe në asnjë moment, ajo është simbol i dështimit të kësaj qeverie në katërvjeçarin e kaluar, krejt mandatin e ka pasur të përcjellë me skandale të ndryshme, prej zhdukjes së mostrave të Deharit, e deri te ulja e buxhetit për mbrojtjen e çlirimtarëve në Hagë”, tha Krasniqi.
Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Hykmete Bajrami, e përsëriti qëndrimin se subjekti i saj do të votojë kundër çdo kandidati të LVV-së, tek theksoi se zgjedhja e kryetarit dallon prej asaj të nënkryetarëve të Kuvendit.
“Paralelja që po e tërheq edhe z. Konjufca si me rastin e kryetarëve e edhe nënkryetarëve të Kuvendit nuk është aspak e saktë, sepse kryetari i Kuvendit përfaqëson Kuvendin e Republikës së Kosovës ndërkohë që nënkryetarët janë përfaqësues të grupeve politike dhe kjo është arsyeja pse ata votohen në pako. Kryetari është përfaqësues i Kuvendit... gjithashtu kërkojnë nga deputetët që ata të votojnë sipas vullnetit të lëvizjes vetëvendosje dhe jo sipas vullnetit të tyre, kjo veç vullnet për marrëveshje politike nuk është”.
E kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, kërkoi që për dalje nga ngërçi të propozohet një emër tjetër për kryeparlamentar, teksa ai i NISMËS, Fatmir Limaj, shprehu pritje për përafrim qëndrimesh drejt formimit të institucioneve.
“Edhe në të kaluarën ka pasur negocim për kryeparlamentar. Nëse duhet vota e opozitës që ka ndodhur për të bashkëvotuar gjithë parlamenti për kryetarin, ka logjikë për të diskutuar me opozitën edhe kandidati. Një kandidat më koncensual se Haxhiu. Ne kemi dhënë disa mendime, po të ishte ndonjë kandidat tjetër për ta votuar. Jemi të hapur nëse opozita dhe partitë tjera dëshirojmë të gjejnë një rrugë për të kaluar përtej konstituimit të Kuvendit”, tha Bajrami.
“Duhet gjetur një rrugë për të ecur tutje. Besoj se ishte qëndrim korrekt. Në fund të fundit, kjo është mënyra e funksionimit. Kosova duhet t’i ketë institucionet. Shpresoj nga sot të bëhen përpjekje për t’u afruar dhe të jepet shansi për formimin e institucioneve”, tha kryetari i NISMËS, Fatmir Limaj.
Të hënën dështoi për herë të katërt seanca konstituive e Kuvendit. Në seancën e së shtunës kaloi raporti i refuzuar të martën i komisionit për verifikimin e mandateve, dhe u betuan 119 deputetë.
Për t’u përmbyllur me sukses seanca konstituive, duhet të votohen edhe kryetari i Kuvendit e edhe nënkryetarët e tij. Në të kundërtën, pa ndonjë afat kushtetues, deputetët obligohen të mblidhen çdo 48 orë.