Janë ekspozuar armët dhe municioni që Policia e Kosovës e ka kapur një ditë më parë në Zveçan, në një automjet në pronësi të Hekurudhës së Serbisë. Në të janë gjetur edhe uniforma me emblema të organizatës “Brigada e Veriut”. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se do t’i propozojë Qeverisë që këtë organizatë, por edhe “Mbrojtjen Civile” t’i shpallë terroriste. Ai ka akuzuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se përmes grupeve kriminale po tenton ta destabilizojë Kosovën
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë të shtunën se do të kërkojë nga Qeveria që t’i shpallë terroriste dy organizata të serbëve që veprojnë në veri të Kosovës – “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadën e veriut”.
E bëri të ditur këtë në Mitrovicë, derisa me drejtorin e përgjithshëm të Policisë, Gazmend Hoxha, ekspozuan armatimin e kapur një ditë më parë në veri, e i cili ndodhej në një automjet me targa të Serbisë dhe në pronësi të Hekurudhës së këtij shteti.
“Ditëve në vijim do kërkoj nga Qeveria që organizatat ‘Mbrojtja Civile’ dhe ‘Severna Brigada’ të shpallen organizata terroriste me çka lufta ndaj tyre do jetë edhe më efikase”, ka thënë ministri Sveçla.
Ai ka akuzuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se përmes grupeve kriminale, po tenton ta destabilizojë Kosovën dhe i ka bërë thirrje Beogradit që të heqë dorë nga kjo mësymje.
“I bëjmë thirrje Beogradit të tërhiqet nga këto akte kriminale e tash edhe terroriste dhe të ndalojë tentativat dhe dëshirën për eskalim në vendin tonë”, ka thënë ministri i Punëve të Brendshme. “I bëjmë thirrje faktorit ndërkombëtar të reagojë ashpër ndaj këtyre ngjarjeve dhe ta dënojë sjelljen e dhunshme e terroriste të Serbisë ndaj Kosovës”.
E, drejtori i Policisë ka dhënë detaje të operacionit dhe ka numëruar të gjitha armët e municionet që janë gjetur në veturën me targa të Beogradit.
“Pjesa dërrmuese e armatimit dhe mjeteve shpërthyese janë prodhim serb. Vlen të theksohet se nga totali i granatave të sekuestruara, 15 prej tyre janë të prodhuara në vitin 2021. Nga ekzaminimi preliminar i ekspertëve të eksplozivëve të Policisë së Kosovës ekziston dyshimi i bazuar se lloji i njëjtë i granatave është përdorur gjatë sulmit ndaj KFOR-it me datë 29.05.2023 në protestën e dhunshme në Zveçan”, ka thënë drejtori Hoxha.
Pas sulmit në veri ndaj policisë, KFOR-it, civilëve e gazetarëve, mes të tjerëve policia ka arrestuar Dushan Obrenoviqin, Millun Millenkoviq-Llune, Dalibor Spasiqin, Urosh Vukasinoviqin, Nemanja Vlashkoviqin, Millan Bozhoviqin dhe Sllagjan Trajkoviqin.
“Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e veriut”
Millun Millenkoviq-Llune është arrestuar dhjetë ditë më parë dhe, sipas autoriteteve, ai ka qenë një nga udhëheqësit e “Mbrojtjes Civile” dhe prijës i bandave përgjegjëse për një numër sulmesh, përfshirë ato ndaj institucioneve të Kosovës që ndodhen në veri. Edhe akuza mbi të rëndon për vepra penale që bien në kategorinë e terrorizmit.
Për vite rresht, “Mbrojtja Civile” ka vepruar ilegalisht në Kosovë dhe është njohur nga autoritetet shtetërore si organizatë paramilitare. Pjesëtarët e armatosur të kësaj strukture mbajtën 15 hapësira të vendosura në 7 lokacione, për të cilat ishin në dijeni autoritetet shtetërore të sigurisë e edhe ato ndërkombëtare, por nuk vepruan kurrë. Në marsin e 2015-s, në Bruksel është mbërritur një marrëveshje për shpërbërjen e saj e njëkohësisht edhe për miratimin e ligjit që i amniston veprat kundër rendit kushtetues të Kosovës. Kosova është obliguar t’i integrojë pjesëtarët e saj në institucione, por Serbia ka qenë e obliguar që t’ua ndërpresë pagat dhe ta heqë “Mbrojtjen Civile” nga struktura e Ministrisë së saj për Punë të Brendshme. Ndonëse pjesëtarët e këtij formacioni janë akomoduar në institucione të Kosovës, Serbia nuk e ka përmbushur detyrimin për ta hequr nga legjislacioni këtë strukturë.
Ligji i Mbrojtjes së Serbisë që edhe sot është në fuqi, në nenin 4 përcakton se “Mbrojtja Civile” është pjesë e “një sistemi të integruar të Policisë, e organizuar për funksionimin e suksesshëm të organeve shtetërore, organeve të krahinës autonome dhe vetëqeverisjes lokale... dhe i përmbush nevojat e forcave të mbrojtjes gjatë emergjencave dhe në luftë”.
Kur në fundvit serbët e veriut braktisën institucionet e Kosovës, “Mbrojtja Civile” është riorganizuar.
Shtatorin e vjetëm, janë ekspozuar grafite me mbishkrimin në serbisht: “Mos u brengosni. Këtu jemi. Ju presim”. Secili grafit mban simbolin e uniformës së organizatës më të re të shfaqur në pjesën ku luftohet shteti, prej se është formuar – “Brigada e Veriut”.
Kur Vuçiqi i përmendte uniformat
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, përmendi uniformat atëkohë, tek fliste në Kuvendin e Serbisë. E në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së theksoi se shteti që e drejton ka të drejtë ta luftojë Pavarësinë e Kosovës, po aq sa Ukraina territoret e pushtuara nga Rusia.
E, gjatë sulmeve ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë që serbët i kryen në Zveçan – gjatë protestave për t’i mbajtur të bllokuara godinat e ndërtesave komunale dhe për të kundërshtuar qasjen në to të kryetarëve të rinj – në automjete të misionit ndërkombëtar ushtarak e edhe të Policisë së Kosovës u shkruan simbole të ushtrisë ruse.
Ministri Sveçla, tek prezantoi armatimin e kapur një ditë më parë në Zveçan, ka theksuar se në kontingjent ka pasur edhe simbole ruse.
“Është e qartë kush qëndron pas sulmeve dhe përpjekjeve terroriste brenda vendit tonë. Këto janë prova të gjetura në veturën e institucioneve të Serbisë – radiolidhje të zyrtarëve serbë në Kosovë, simbole të Rusisë dhe organizmi terrorist”, ka thënë ai. “Panorama është e qartë. Granatat e dorës janë prodhim serb i vitit 2021, pra nuk janë armë që kanë mbetur nga lufta, por janë të furnizuara drejtpërdrejt nga ushtria e Serbisë. Doza e dhunës dhe kriminalitetit nga Serbia veçse po rritet, bandat kriminale tash veç janë shndërruar në organizime terroriste”.
Ai ka theksuar se edhe radiolidhjet të cilat kanë qenë të njëjta me ato që janë konfiskuar nga zyra e Aleksandër Filipoviqit, ish-zyrtar i lartë policor i Kosovës që ishte rekrutuar nëpërmjet Marrëveshjes së Brukselit, bashkë me pjesëtarët e tjerë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë që operonin ilegalisht në Kosovë.
“Aleksandër Filipoviq ka qenë ish-shef i operativës në Drejtorinë rajonale të veriut që është dekoruar nga Vuçiqi. Këto radiolidhje janë të njëjta me radiolidhjen që është gjetur në zyrën e tij e që janë pajisje të formacionit terrorist e kriminal”, ka thënë ministri Sveçla. “Këto mjete kishin qëllim realizimin e sulmeve terroriste ndaj qytetarëve e institucioneve të Kosovës. Këto janë dëshmi se Vuçiq përmes grupeve e organizimeve të tilla tenton ta destabilizojë vendin tonë”.
Parandalimi i një akti terrorist
Një ditë më parë, autoritetet theksuan se falë angazhimit intensiv të njësiteve të specializuara të Policisë dhe informatave të pranuara nga inteligjenca, është identifikuar një veturë me targa të Beogradit, rreth 100 metra larg Komunës së Zveçanit, në të cilën janë zbuluar sasi të mëdha të armatimeve, mjeteve eksplozive dhe municioneve të ndryshme, përfshi zolla, osa, eksplozivë, armë automatike, sasi e konsiderueshme e municionit, shok-bomba, uniforma dhe çanta ushtarake. Sipas tyre, të gjitha këto mjete kishin për qëllim dhe shërbejnë për realizim të sulmeve terroriste ndaj qytetarëve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës.
E të shtunën kur u ekspozua ky armatim, ministri Sveçla ka thënë se Policia parandaloi sulm terrorist. Por, paralajmëroi vazhdimin e aksioneve.
“Sundimi i ligjit për ne është prioritet. Ne po veprojmë sipas ligjit. Të gjitha këto veprime policore, arrestime që po bëhen, dëshmojnë se ne nuk mund të zmbrapsemi mbrapa kriminelëve dhe qëndrojmë të angazhuar për zbardhjen e të gjitha sulmeve dhe ruajtjen e të gjithë qytetarëve, pa dallim”, ka theksuar ai.
Tensionet në veriun e banuar kryesisht me serbë kanë shënuar rritje, prej kur më 26 maj filluan protestat në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin-Potok. Grupe të serbëve lokalë u grumbulluan para objekteve komunale për të protestuar kundër hyrjes së kryetarëve të rinj shqiptarë në objektet e komunave, ndonëse u zgjodhën nëpërmjet një procesi elektoral që u njoh ndërkombëtarisht, por që u bojkotua masivisht nga serbët që përbëjnë shumicën në komuna. Nga atëherë, objektet mbahen të bllokuara nga serbët, ndërkohë që në to qëndrojnë policia e jashtë tyre pjesëtarë të KFOR-it. Ndërkaq, është kryetari i ri i Leposaviqit ai që nga dita e parë nuk ka dalë nga zyra, ndërkaq kryetarët e dy komunave të tjera nuk janë paraqitur më në objektet komunale, përpos ditës së nesërme pas dhënies së betimit.
Autoritetet kosovare janë pajtuar që t’i binden kërkesës ndërkombëtare për mbajtje të zgjedhjeve të reja, po insistojnë se paraprakisht duhet larguar bandat kriminale dhe duhet deeskaluar situata. Me deeskalim, sipas tyre, nënkuptohet edhe vënia para drejtësisë e të gjithë atyre që janë përgjegjës për sulmet gjatë protestave.
Situata është tensionuar edhe më shumë, pasi Serbia kidnapoi tre policë të Kosovës, derisa ndodheshin brenda territorit të shtetit.
Ministri Sveçla ka thënë se kohët e fundit agresioni i Beogradit është edhe më i madh.
“Që nga paslufta Kosova ka vijuar të përballet me agresionin e Beogradit. Posaçërisht kohët e fundit dora e zgjatur e tyre ka nisur terrorizmin kundër Policisë së Kosovës, pjesëtarëve të KFOR-it, EULEX-it e gazetarëve. Jemi dëshmitarë, situata ka degraduar në kulm pas agresionit të Serbisë me ç’rast janë kidnapuar tre policë”, ka thënë ai.
Çfarë armatimi u konfiskua në Zveçan?
1 veturë audi
9 zola
2 lansues
2 osa
1 predhë e minahedhësit
21 granata dore
20 predha të tromblonit
2 mbushës të barutit
10 armë të gjata automatike
1 revole
1 shurdhues i armëve
51 karikatorë të armëve të gjata
5 karikatorë të armëve të shkurta
5,756 fishekë të kalibrit të ndryshëm
18 koktej molotovi
17 mjete piroteknike
14 mjete tymuese
5 thika ushtarake
11 jelekë antiplumbë dhe statikë
9 uniforma ushtarake
1 palë dylbi
2 maska pambuku për kokë
1 maskë kundër helmeve dhe gazrave
1 dyshek ushtarak për nevoja të snajperistëve
19 emblema të “Brigadës së Veriut”
1 telefon ajror me SIM kartelë dhe numër
3 radiolidhje dhe mbushës
Narkotikë