LAJMET E MBRËMJES

Suspendohen tre zyrtarë policorë, nën dyshimin për pjesëmarrje në tubime partiake

Tre zyrtarë policorë janë suspenduar të mërkurën, pasi dyshohet se morën pjesë në tubimet parazgjedhore të partive politike. Dy prej tyre dyshohen se morën pjesë në tubimet e Partisë Demokratike e një në atë të Lidhjes Demokratike të Kosovës

Majori i Policisë së Kosovës, Isak Ejupi, u paraqit në një tubim parazgjedhor të Lidhjes Demokratike të Kosovës, e madje mbajti edhe fjalim, bazuar në një postim në Facebook, të faqes “Lidhja Demokratike Prishtinë”. 

Ai, dyshohet të mos jetë i vetmi zyrtar policor që është paraqitur në tubime parazgjedhore të partive, për çka Inspektorati Policor dhe Policia kanë ngritur alarmin, duke suspenduar tre zyrtarë.

“Policia e Kosovës (PK), bazuar në Ligjin e Policisë së Kosovës, i cili përcakton konfliktin e interesave, udhëzimin administrativ për shkeljet, masat dhe procedurat disiplinore në Policinë e Kosovës si dhe rekomandimin e Inspektoratit Policor të Kosovës, ka suspenduar dy zyrtarë policorë, përderisa IPK-ja ka suspenduar një zyrtar policor. Të suspenduar janë një kolonel, një major dhe një rreshter policor. Suspendimi i zyrtarëve policorë është bërë mbi dyshimin për pjesëmarrje në tubim apo aktivitet të natyrës politike, të cilat bien në kundërshtim me procedurat ligjore si dhe udhëzimet e brendshme të PK-së”, thuhet në njoftimin e Policisë. 

E në njoftimin e Inspektoratit Policor, u është bërë thirrje pjesëtarëve të Policisë të qëndrojnë larg aktiviteteve politike. 

“Roli i Policisë është kyç në garantimin e rendit dhe sigurisë për të gjithë qytetarët pa dallim dhe çdo përfshirje apo perceptim i përfshirjes së zyrtarëve policorë në aktivitete politike mund të dëmtojë besimin e publikut në këtë institucion jetik”, thuhet në njoftimin e Inspektoratit të Policisë.

Dy zyrtarët e tjerë të suspenduar dyshohet se morën pjesë në tubimet parazgjedhore të PDK-së. 
Nexhmi Krasniqi, kolonel i Policisë Kufitare, tha se do të paraqesë prova në favor të tij dhe se do të ankohet për suspendimin.

“Asgjë nuk kam për koment: Është shkelje ligjore. Ka qenë e rastësishme. Me dy këmbë e kanë shkelur ligjin ata”, ka thënë ai.

E brenda institucionit të Policisë, në procedurë disiplinore është hetuesi i krimeve ekonomike Idriz Gashi. Avokati i tij, Arianit Koci, ka shkruar në Facebook, se pret që në fund të procesit të vërtetohet se ai nuk ka marrë pjesë në asnjë tubim parazgjedhor.

“Hetuesi policor Idriz Gashi nuk ka qenë pjesë e tubimit të një partie politike në fshatin Rrezallë! Për këtë, klienti im ka prova materiale! Prandaj, sot jam autorizuar të përpiloj dhe dorëzoj kallëzimin penal për falsifikimin e fotos. E vërteta gjithmonë del në dritë, por kërkon guxim dhe drejtësi”, ka shkruar Koci.

KOHA ka provuar të kontaktojë edhe majorin Isak Ejupi, por ai nuk ishte i qasshëm të mërkurën.