LAJMET E MBRËMJES

Studentët e UP-së dalin kundër Asociacionit

Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës ka bërë thirrje për pjesëmarrje sa më masive në marshin që do të organizojë më 15 shkurt me moton “Bashkë kundër Asociacionit”. Përfaqësuesit e këtij parlamenti të hënën, në një konferencë për media, i bënë thirrje Qeverisë të mos e themelojë Asociacionin, e bashkësisë ndërkombëtare të ndalojë me presionin për të

Parlamenti Studentor i universitetit publik të Prishtinës “Hasan Prishtina” ka dalë me qëndrim kundër themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Përmes një konference për shtyp të hënën, përfaqësues të Parlamentit i bënë thirrje Qeverisë të mos e themelojë Asociacionin, e bashkësisë ndërkombëtare të ndalojë me presionin për të.

Bleron Beka, nënkryetar i Parlamentit Studentor, paralajmëroi edhe një marsh kundër Asociacionit më 15 shkurt në Prishtinë.

“Me bindjen e plotë që Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk do të krijohet për më shumë të drejta të komunitetit serb, por që për të shtuar ndikimin e Serbisë në shtetin tonë dhe rrjedhimisht të kontribuojnë në destabilizmin e vendit. Bëjmë thirrje te qytetarët e Kosovës që të marrin pjesë në marshin e 15 shkurtit dhe së bashku të tregojmë vendosmëri dhe të përçojmë mesazh të qartë tek instancat relevante”, u shpreh Beka.

Nënkryetarja tjetër e këtij parlamenti, Albë Lala, theksoi rëndësinë e bisedimeve në mes dy shteteve për njohjen reciproke të diplomave universitare.

“Në vend se të flasim lidhur me marrëveshjen, e cila parasheh njohjen reciproke të diplomave universitare në mes Kosovës dhe Serbisë, sot flitet vetëm për Asociacionin njëetnik që cenon stabilitetin dhe paqen e shtetit tonë”, ka thënë Lala.

Ajo tha se mobilizimi i studentëve është i domosdoshëm për parandalimin e krijimit të Asociacionit.

“Ne fuqishëm besojmë se mobilizimi e organizimi studentor, ndonëse në rrethana krejtësisht të ndryshme, janë gjithnjë të domosdoshëm për të kundërshtuar e parandaluar një të keqe që po provohet të instalohet brenda shtetit tonë”, shtoi Lala.

Marshi i Parlamentit Studentor do të organizohet të mërkurën e javës së ardhshme, kur shënohet edhe 53-vjetori i themelimit të Universitetit. Marshi do të mbahet me moton “Bashkë kundër Asociacionit”.