Thirrje për shtensionimin e situatës mes Kosovës dhe Serbisë ka pasur edhe nga Berlini. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg pas takimit që ka pasur me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, ka kërkuar nga dy vendet t’i rikthehen dialogut dhe të ndalojnë çdo hap përshkallëzues.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka përsëritur thirrjen për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.
Kjo thirrje e tij erdhi në mes të rritjes së tensioneve mes Kosovës e Serbisë pas kidnapimit nga forcat serbe të tre policëve të Kosovës javën e kaluar.
Pas takimit me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, Stoltenbergu në një konferencë për gazetarët në Berlin, ka kërkuar nga dy vendet t’i rikthehen dialogut dhe të ndalojnë çdo hap përshkallëzues.
“Kemi diskutuar edhe për situatën në Kosovë. Angazhimi i NATO-s ndaj mandatit tonë të Kombeve të Bashkuara është i palëkundur. U bëjmë thirrje të gjitha palëve që të ndalojnë çdo hap të mëtejshëm përshkallëzues dhe t'i kthehen menjëherë dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, theksoi ai.
Shefi i NATO-s po ashtu kërkoi nga të dyja palët që të ndalin çdo hap tjetër përshkallëzues.
Stoltenbergu deklaroi se KFOR-i do të vazhdojë të marrë të gjitha masat e nevojshme për të siguruar një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet.
Që nga fundi i majit, tensionet në veri të Kosovës u rritën pasi kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, me asistimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve nga serbët.
Tensionet kulmuan më 29 maj, kur në Zveçan protestuesit serbë u përleshën me ushtarët e KFOR-it, e nga përleshjet mbetën të lënduar rreth 30 ushtarë.