LAJMET E MBRËMJES

Stano: Nuk mund të barazohen terroristët me viktimat e terrorizmit

 Qëndrimi i Bashkimit Evropian është shumë i qartë rreth asaj që ndodhi të dielën në veri të Kosovës. Ai ishte një sulm terrorist, si i tillë duhet të trajtohet dhe të hetohet, ka thënë sot në Bruksel zëdhënësi i BE-së për çështje të Politikës së Jashtme dhe Sigurisë, Peter Stano.

Stano këtë e tha duke u përgjigjur në pyetje rreth narrativit që dëgjohet në Serbi se të vrarët ishin kinse të lirisë që e mbronin pragun e tyre ndaj një terrori të Kosovës. Ai ka folur edhe për shpalljen e ditës së zisë, që u shpall dje në Serbi për sulmuesit e vrarë.

Ky zëdhënës i BE-së ka thënë se duhet të ketë hetime të plota në mënyrë që të gjithë ata që janë përgjegjës për planifikimin, kryerjen apo qëndrimin prapa të këtij sulmi të nxirren para drejtësisë.

Sa i përket ditës së shpalljes së zisë, ai ka thënë se nuk bën të barazohen terroristët me viktimat e tyre.

“Kemi parë se Serbia dje ka shpallur ditë zie. Të hënën Zyra e BE-së në Prishtinë vendosi flamurin në gjysmështizë për të nderuar policin e vrarë dhe policët e plagosur, viktima të sulmit qyqar terrorist të dielën. Qëndrimi ynë është i qartë dhe ai është shprehur nga përfaqësuesi i lartë [Josep Borrell] më 24 shtator. Për më tepër, sulmuesit kurrë nuk mund të barazohen me viktimat. Prandaj, delegacioni i BE-së në Serbi nuk e ka vendosur flamurin në gjysmështizë”, ka deklaruar Stano.

Ai po ashtu ka rikujtuar se Bashkimi Evropian e kundërshton fundamentalisht krahasimin apo glorifikimin e kriminelëve apo terroristëve dhe tentimet që atyre t’u shprehen nderime.