LAJMET E MBRËMJES

Specialja vendos që seanca e parë për Thaçin dhe të tjerët të mbahet më 3 prill

Në rastin e ish-udhëheqësve të UÇK-së, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, avokatët e të akuzuarve dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar janë pajtuar që data për paraqitjen e fjalës hyrëse në rastin e njohur si “Thaçi dhe të tjerët” të bëhet më 3 prill. Gjatë konferencës përgatitore të Zyrës së Prokurorit të Specializuar për rastin, të mërkurën është vendosur po ashtu që data e përfundimit të prezantimit të ZPS-së të jetë më 1 prill të vitit 2025

Mbrojtja e të akuzuarve dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë kanë arritur pajtim të mërkurën që seanca e parë dhe fjala hyrëse në rastin e ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të mbahet më 3 prill.

Dakordimi u arrit gjatë konferencës përgatitore të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në rastin e ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Jakup Krasniqi e Kadri Veseli, si dhe e ish-deputetit, Rexhep Selimi, të cilët ngarkohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

“Pavarësisht dallimeve në opinione ose në interpretimet apo pozicionet tona me prokurorinë, u munduam që të arrijmë një marrëveshje. I falënderoj për pajtimin e tyre, për pozicionin tonë, ndërkohë që ua lëmë juve në duar, të nderuar gjyqtarë, që të vendosni sa i përket datës së nisjes së procesit”, ka thënë Geoffrey Roberts, avokat i Rexhep Selimit.

Avokatët dhe kryetari i trupit gjykues i shprehën vërejtje ZPS-së mbi planin e ngjeshur të paraqitjes së dëshmitarëve dhe mbi administrimin e provave, përderisa theksuan se nuk janë shpalosur ende të gjitha provat shfajësuese të mbrojtjes së të akuzuarve.

“700 orë për pyetjen e dëshmitarëve të ZPS-së është e shumtë si kohë. Trupi gjykues thekson rëndësinë e kufizimit të numrit të dëshmitarëve, të provave të panevojshme dhe përsëritëse….Provat shkresore duhet të lidhen drejtpërdrejt me akuzat dhe jo të paraqiten për të zgjeruar kontekstin apo për të shpjeguar rrethanat e përgjithshme apo kontekstin. Provat e tilla duhet të anashkalohen”, ka thënë Charles Smith, kryetar i trupit gjykues.

Në gjashtë urdhrat gojore të paraqitura nga trupi gjyqësor, i kryesuar nga Smith, përfshihet edhe paraqitja e rastit nga ana e prokurorisë, që do të zgjasë tre vjet, përderisa Prokurorisë iu përsërit urdhri për t’ia ofruar mbrojtjes provat shfajësuese.

Urdhër i veçantë u dha edhe për përdorimin e vizualizimeve.

“Në pajtim me rregullin 102(3) të rregullores, trupi gjykues urdhëron ZPS-në që të dorëzojë njoftimet e ndryshuara sipas rregullit 102(3) deri të premten, më datë 17 shkurt 2023, në orën 4 pasdite... Trupi gjykues e përcakton datën e mbylljes së çështjes së prokurorisë më datë 1 prill 2025... ZPS-ja urdhërohet që përveç përdorimit të tabelave ose mjeteve vizuale, në deklaratat hapëse të përdorë mjete të tilla edhe gjatë thirrjes së dëshmitarëve”, ka thënë Smith.

Aktakuza e ZPS-së, e ngritur më 30 shtator të vitit 2022, i ngarkon Thaçin, Krasniqin, Veselin e Selimin me akuzat për ndërmarrje të përbashkët kriminele, vepër kjo që, sipas prokurorisë, e kishte “qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën, nëpërmjet metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë”, në periudhën midis marsit të vitit 1998 e shtatorit të vitit 1999, në vende të ndryshme të Kosovës.