LAJMET E MBRËMJES

Specialja e lejon Krasniqin ta vizitojë familjen, pas vdekjes së vëllait

Shefja e zyrës për medie në Dhomat e Specializuara, Angela Griep, ka bërë të ditur se kërkesa e ish-kryeparlamentarit Krasniqi, të cilit i ka vdekur vëllai më 5 tetor, është miratuar për arsye humanitare bindëse. Krahas Krasniqit, në këto Dhoma me seli në Hagë, kërkesë për vizitë në Kosovë ka paraqitur edhe i akuzuari tjetër, Haxhi Shala, të cilit i ka vdekur babai. Porse për të nuk ka ndonjë njoftim se si është vendosur

Dhomat e Specializuara e kanë aprovuar kërkesën e Jakup Krasniqit për vizitë urgjente te familja në Kosovë, pas vdekjes së vëllait të tij. 

Krahas tij, në këto Dhoma me seli në Hagë, kërkesë për vizitë në Kosovë ka paraqitur edhe i akuzuari tjetër, Haxhi Shala, të cilit i ka vdekur babai. Por ndryshe nga rasti i Krasniqit, për atë të Shalës nuk ka ndonjë njoftim se si është vendosur.

Shefja e zyrës për medie në Dhomat e Specializuara, Angela Griep, ka bërë të ditur se kërkesa e ish-kryeparlamentarit Krasniqi, të cilit vëllai i ka vdekur më 5 tetor, është miratuar për arsye humanitare bindëse. 

“Për arsye humanitare bindëse, Trupi Gjykues ka udhëzuar Zyrën Administrative që ta menaxhojë një vizitë nën mbikëqyrje të z. Krasniqi në Kosovë për ta takuar familjen e ngushtë. I akuzuari vazhdon të jetë në paraburgim të Dhomave të Specializuara. EULEX-i dhe Policia e Kosovës po mbështesin Dhomat e Specializuara të Kosovës”, ka theksuar Griep.

Në Gjykatën Speciale nuk kanë zbardhur hollësi të tjera lidhur me vizitën e Krasniqit në Kosovë, e as nuk kanë dhënë përgjigje konkrete për kërkesën e Shalës, të cilit babai i ka vdekur më 8 tetor.

“Nuk mund t’ju them ndonjë koment, vetëm mund ta përsëris që, sigurisht se ai mund ta bëjë një kërkesë të tillë dhe trupi gjykues do të vendosë lidhur me një kërkesë të tillë dhe do t’ju njoftojmë posa të ketë më shumë informata publike”, ka bërë të ditur Griep. 

E për sa i përket gjykimit të Haxhi Shalës, Sabit Januzit dhe Ismet Bahtjarit, shefja e zyrës për marrëdhënie me jashtë në Speciale, Angela Griep, ka thënë se pritet që të nisë më 8 nëntor dhe se pas pak ditësh do të paraqitet dëshmitari i parë. 

Ish-deputeti Shala është i akuzuar për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare dhe për frikësim gjatë procedurës penale nëpërmjet kërcënimit të një dëshmitari.

Jakup Krasniqi, bashkë me Hashim Thaçin, Kadri Veselin e Rexhep Selimin, akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.