Mbi gjysma e rekomandimeve nga Zyra Kombëtare e Auditimit kanë mbetur të pazbatuara nga ministritë e ndryshme, ka thënë auditorja e përgjithshme, Vlora Spanca, në raportimin para Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike. Ajo bëri të ditur se vetëm 49 për qind e tyre janë zbatuar në plotni
Vetëm 49 për qind të rekomandimeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit janë zbatuar në plotni e 51 për qind të tjera kanë mbetur të pazbatuara nga ministritë e ndryshme, ka thënë auditorja e përgjithshme, Vlora Spanca, në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike.
E ftuar të raportojë mbi zbatimin e rekomandimeve nga organizatat buxhetore, Spanca tha se në 123 raportet e auditimit për vitet 2022-2023, ZKA-ja ka dhënë rreth 900 rekomandime për përmirësim në fushat ku janë identifikuar gabime e mangësi.
“Edhe këtë vit planifikojmë që rekomandimet që janë dhënë e të cilat nuk janë zbatuar t’i dërgojmë te secili ekip i auditimit për rekomandimet, të cilat i keni dhënë ju si komision me qëllim që t’i përcjellim edhe ato rekomandime dhe të shohim në çfarë faze janë, duke i shtuar edhe këto rekomandimet e reja për të cilat ende nuk i kemi marrë informatat për vitin 2023 dhe në raportin e auditimit për vitin 2023 do ta keni një pasqyrë më të saktë”, ka theksuar Spanca.
E gjatë debatit, deputetë opozitarë kritikuan Qeverinë për moszbatimin e rekomandimeve të auditorit.
“Brenga kryesore e imja është që shumica e këtyre rekomandimeve nuk janë zbatuar nga Qeveria. Pra nga 34 rekomandime që i kemi marrë dhe ato që kanë qenë përsëri, i kemi 13 që nuk i ka zbatuar fare Qeveria. I kemi dy rekomandime që i ka zbatuar dhe i kemi pjesërisht tri rekomandime. E, pasuar nga Ministria e Financave që është një ministri e cila ju mbikëqyr juve e cila nuk ka zbatuar fare 9 prej rekomandimeve”, është shprehur deputeti i PDK-së, Rashit Çalaj.
Deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, kërkoi që ndaj institucioneve që nuk i përmbushin rekomandimet të ndërmerren masa me zvogëlim buxheti dhe me dërgim të lëndëve në prokurori.
“Për mua është një sfidë çka duhet më bë me këto institucione që nuk ka përmirësime. Për shembull nëse ne themi se është sukses të zbatohen 49 për qind e rekomandimeve, mendoj se është dështim sepse me 51-përqindshin të cilët nuk po i zbatojnë rekomandimet, çka kemi mundësi të bëjmë më tutje. A duhet të bëhet një plotësim ndryshim të ligjit të auditorit, a duhet të shkojnë këto lëndë në prokurori”, ka thënë Beqaj.
Prej 571 rekomandimeve për organizatat buxhetore, 134 janë dhënë për ndërmarrjet publike, si dhe 195 për auditimet e performancës. Përderisa në vitin 2021 janë dhënë 980 rekomandime, prej tyre 649 për organizatat buxhetore, 187 për ndërmarrjet publike, si dhe 144 rekomandime për raportet e auditimit të performancës.