LAJMET E MBRËMJES

Sorensen: Të ecet përpara me bisedimet, palët përcaktojnë kompromiset

Rrugëtimin e tij si i dërguar i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen e ka nisur me vizitën në Prishtinë. Sorensen të hënën ka takuar drejtuesit e institucioneve të shtetit dhe përfaqësuesit e partive opozitare. Pas takimeve ka thënë se në mandatin e tij ai synon të lëvizë para me dialogun

Përparim në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë synon emisari i ri i Bashkimit Evropian për dialogun, Peter Sorensen. Në vizitën e tij të parë, që nga marrja e detyrës, Sorensen ka thënë se pas takimeve që do të ketë në Kosovë e Serbi do të shohë se si duhet të veprohet. 

“Qëllimet janë që të vazhdojë procesi dhe të ecet përpara. Tani qëllimi për mua është që të flas me njerëz dhe të shoh qëndrimet e tyre. Unë kam diskutime këtu në Prishtinë, por po ashtu më duhet të shkoj në Beograd. Pasi të zhvilloj këto biseda unë do të ulem dhe të shoh se ku jemi”, ka deklaruar Sorensen pasi takimeve që zhvilloi me krerët shtetërorë.

Takimet me presidenten Vjosa Osmani kryeministrin Albin Kurti e zv.kryeministrin Besnik Bislimi, Sorensen i ka vlerësuar si një fillim të mirë për detyrën që ka marrë përsipër.

I pyetur për qëndrimin e tij në lidhje me mbylljen e institucioneve sociale paralele në Kosovë, ai ka thënë se janë duke u përpjekur që qytetarëve t’iu ofrohen “shërbimet në mënyrën më të mirë të mundshme”.

Për mundësinë e kompromiseve eventuale, emisari i ri i dialogut ka theksuar se kjo u takon palëve në bisedime.  

“Dialogu është për t’u siguruar që të ketë takime. Se a do të thotë kompromis a jo, iu takon palëve për ta përcaktuar. Dialogu është për këtë dhe këtë jemi duke e bërë që nga viti 2011”, ka thënë ai.

E nga takimi me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, përmes një njoftimi për media, hollësi ka dhënë Zyra e Presidentes. Në njoftim bëhet e ditur se si presidentja ka kërkuar heqjen e masave kundër Kosovës dhe që marrëveshjet e arritura të zbatohen në tërësi e në mënyrë të balancuar. 

“Kosova është dëshmuar tashmë si palë konstruktive në dialog, e angazhuar për paqe, demokraci e sundim të ligjit, prandaj mbajtja e masave të padrejta të BE-së ndaj vendit tonë po i dëmton jo vetëm qytetarët tanë, por edhe balancën e nevojshme në dialog”, citohet të ketë thënë Osmani.

Në njoftim me tej theksohet edhe qëndrimi i presidentes për draft-statusin e Asociacionit. 

“Në takim me z. Sorensen, presidentja Osmani paraqiti vërejtjet e saj për Draftstatutin e Asociacionit të propozuar nga BE, vërejtje të cilat duhet të trajtohen me seriozitet në mënyrë që të parandalohet rrezikimi i funksionalitetit të shtetit të Kosovës. Sa i përket integrimit në organizata ndërkombëtare, presidentja Osmani ritheksoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës si dhe në organizata të tjera ndërkombëtare, përderisa ripotencoi shkeljet e vazhdueshme të Serbisë të marrëveshjeve të arritura në Bruksel, përfshirë shkeljen e nenit 4 të marrëveshjes së shkurtit 2023”, thuhet në njoftim.

Presidentja Osmani pohohet të ketë deklaruar se Kosova është e përkushtuar për reformat e nevojshme dhe se në kontekstin e dinamikave të reja gjeopolitike Kosovës duhet t’i jepet statusi i kandidatit dhe procesi i zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor duhet të përshpejtohet, bazuar në parimin e meritokracisë.

Pas Osmanit takime Sorensen zhvilloi me kryeministrin Albin Kurti e me kryenegociatorin e bisedimeve me Serbinë, Besnik Bislimi. 

Sipas njoftimit të Qeverisë, edhe kryeministri Kurti ka kërkuar heqjen e masave ndaj Kosovës, derisa ka theksuar rëndësinë e zbatimit të plotë e të pakushtëzuar të marrëveshjes së arritur dy vite më parë. 

“Ai theksoi kontradiktën e pashëndetshme për BE-në, vlerat themelore të saj dhe për reformat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës me mbështetje të madhe të qytetarëve, që në të njëjtën periudhë kur vendi shënon ngritjen më të madhe demokratike, edhe sipas indekseve ndërkombëtare, të jetë njëkohësisht nën masa kufizuese të BE-së”, thuhet në njoftim.

Me tej, sipas komunikatës, Kurti ka përsëritur thirrjen që kreu i grupit që sulmoi Banjskën, Milan Radoiçiq e anëtarët e tjerë të tij, t`u dorëzohen autoriteteve të Kosovës. 

“Duke rikujtuar sulmin paramilitar në Banjskë në shtator të vitit 2023 dhe sulmin terrorist në ‘Ibër-Lepenc’ në nëntor të vitit të kaluar, ai gjithashtu nënvizoi rrezikun që kryeterroristi Milan Radoiçiq, bashkë me grupin e tij, vazhdon të paraqesë për sigurinë e vendit dhe normalizimin e marrëdhënieve në kuadër të procesit të dialogut për sa kohë që vazhdon të jetë i lirë në Serbi, përkundër pranimit të fajësisë para autoriteteve në Serbi dhe aktakuzës 160 faqëshe nga Prokuroria e Republikës së Kosovës. Andaj përsëriti thirrjen që Radoiçiq dhe grupi i tij t'i dorëzohen Kosovës për gjykim”. 
Më pas Sorenseon ka takuar liderët e partive politike opozitare. 

Në selinë e Partisë Demokratike të Kosovës, ai është pritur nga kryetari i këtij subjekti, Memli Krasniqi.

Lideri i PDK-së në rrjetin Facebook ka treguar se si gjatë takimit ka riafirmuar qëndrimin se dialogu duhet të ketë për synim një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare, e cila garanton njohjen e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë. 

“Marrëveshjet provizore që zvarrisin procesin dhe krijojnë pasiguri nuk i shërbejnë paqes dhe stabilitetit afatgjatë. Prandaj është e rëndësishme që ky proces të rifillojë me energji të re, qasje konstruktive dhe fokus të qartë në rezultatet konkrete. Po ashtu, nënvizova pritshmërinë tonë që Bashkimi Evropian të ruajë një qasje të ekuilibruar, duke respektuar parimet e barazisë dhe reciprocitetit në të gjitha fazat e dialogut. Njëkohësisht emisarit Sorensen ia ritheksova kërkesën tonë që BE-ja të heqë masat ndëshkuese ndaj Kosovës, të cilat po cenojnë padrejtësisht mirëqenien e qytetarëve tanë”, ka shkruar Krasniqi. 

Po për dialogun e integrimin me Sorensenin ka biseduar edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku. Në njoftimin për takimin me emisarin e BE-së, Abdixhiku ka shkruar se LDK i jep përkrahje procesit të dialogut me ndërmjetësimin e BE-së dhe me përfshirjen e drejtpërdrejtë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës

“E njoftova në veçanti dhe me pozicionin tonë për refuzimin e draftstatutit të Asociacionit të pranuar nga Qeveria në largim; si dokument i autonomisë territoriale brenda Kosovës. Kërkova që Bashkimi Evropian të heqë masat ndëshkuese për Kosovën, sepse të njëjtat përveçse po dëmtojnë qytetarët tanë, dëmtojnë edhe vetë procesin e integrimit të Republikës së Kosovës në familjen euroatlantike. Po ashtu shpreha besimin se Bashkimi Evropian do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në përpjekjet e saj për integrim si dhe në proceset e tjera”, ka shkruar Abdixhiku. 

Ndërsa kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka bërë një njoftim të shkurtër për takimin me të dërguarin evropian. 

“Në takim çmova rolin e tij dhe të BE-së dhe po ashtu theksova rëndësinë e partneritetit BE-ShBA për sukseset në Kosovë dhe regjion”, ka shkruar Haradinaj në Facebook. 
Peter Sorensen është emëruar nga Këshilli në fund të janarit, derisa detyrën e ka marrë në fillim të muajit shkurt. Ai është pasardhës i ish-emisarit Miroslav Lajçak, i cili shërbeu në këtë detyrë për gati 5 vjet.

Kosova dhe Serbia dialogojnë nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian që nga viti 2011.