Diplomati danez, Peter Sorensen, është konfirmuar si i dërguar i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës e Serbisë. Në takimin në nivel ambasadorësh, asnjë vend anëtar nuk pati kundërshtim a rezervë për Sorensenin. E që ai të mund ta nisë detyrën e lehtësuesit të dialogut në fillim të shkurtit, i duhet edhe konfirmimi nga ministrat e Jashtëm të BE-së, që pritet të ndodhë të hënën e ardhshme
Vendet anëtare të Bashkimit Evropian janë pajtuar në takimin e sotëm në nivel të ambasadorëve me emërimin e diplomatit danez, Peter Sorensen, si të dërguar të posaçëm të BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
Sorenseni në këtë post do ta zëvendësojë Miroslav Lajçakun, të cilit më 31 janar i përfundon mandati që ka zgjatur gati pesë vjet.
Siç mësohet nga burimet diplomatike në Bruksel, asnjë shtet anëtar i Bashkimit Evropian nuk ka pasur kundërshtime apo rezerva për emërimin e Sorensenit.
Para disa ditësh Kaja Kallas, përfaqësuese e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, ishte përcaktuar që pikërisht Sorensenit t’ia besojë detyrën për ta lehtësuar dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
Sipas procedurave të Bashkimit Evropian, tash duhet që këtë emërim ta konfirmojnë edhe ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare. Kjo pritet të ndodhë të hënën, më 27 janar, në takimin e radhës të Këshillit të çështjeve të jashtme.
Në këtë mënyrë, Peter Sorensen, si lehtësues për dialog, do të mund ta nisë punën nga fillimi i shkurtit.
Peter Sorensen është një diplomat me përvojë të madhe nga rajoni i Ballkanit Perëndimor. Ai më parë ka ushtruar disa detyra qysh nga periudha e administratës së UNMIK-ut në Kosovë, në shtyllën që e udhëhiqte Bashkimi Evropian, e deri tek roli i përfaqësuesit të posaçëm të BE-së për Bosnjë-Hercegovinë dhe shef i Zyrës së BE-së në Sarajevë.
Ka qenë edhe shef i Zyrës së Bashkimit Evropian në Shkup, si dhe i dërguar i posaçëm i përfaqësuesit të lartë të BE-së për Serbi. Në këtë moment Sorenseni është këshilltar principal në Shërbimin e veprimit të jashtëm për diplomaci digjitale të Bashkimit Evropian.
Diplomatët në Bruksel besojnë se ai i ka njohuritë e duhura për të vazhduar që ta lehtësojë, në emër të Bashkimit Evropian, edhe dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, i cili po zgjat tash e 13 vjet.