LAJMET E MBRËMJES

Sokol Dobruna e Halil Qadraku ftohen për të dëshmuar para Speciales

Ish-kryetari i Gjykatës Ushtarake të UÇK-së, Sokol Dobruna, ka udhëtuar të enjten për në Hagë për të dëshmuar para Speciales. Bashkë me të ka udhëtuar edhe ish-pjesëtari i UÇK-së, Halil Qadraku. Ata do të përgjigjen në pyetjet e Prokurorisë, e cila synon që ta vërtetojë se Shtabi i Përgjithshëm ka vendosur edhe për ndalimin e edhe për lirimin e personave të ndaluar dhe se edhe gjykata ushtarake i bindej Shtabit

Ish-kryetari i Gjykatës ushtarake të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Sokol Dobruna, ka udhëtuar të enjten për në Hagë, për të dëshmuar në procesin gjyqësor për krime lufte, i cili është duke u zhvilluar ndaj katër ish-anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm të gueriles.

Bashkë me të, në drejtim të Hagës ka udhëtuar edhe ish-pjesëtari i UÇK-së, Halil Qadraku.

I biri i Halil Qadrakut, në një postimi në Facebook, i ka uruar suksese babait në “betejën e tij të radhës”. 

I kontaktuar nga KOHA, Atdhe Qadraku ka refuzuar që të deklarohet më shumë dhe e ka referuar redaksinë te avokati, Arianit Koci. As avokati Koci nuk ka ndarë hollësi, përveç se ka konfirmuar që do të udhëtojë së shpejti në Hagë, meqë është avokat i Dobrunës dhe Qadrakut.

Dobruna është intervistuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) të paktën dy herë, në dhjetor të 2018 dhe në gusht të 2024. 

Emri i tij është përmendur në dëshmitë e ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Bislim Zyrapi, si dhe të ish-pjesëtarit të UÇK-së në Zonën e Pashtrikut, Kurtesh Fondaj. Atij i janë referuar në kontekstin e vendimeve për ndalime e arrestime, si dhe për lirimin e ish-pjesëtarit të UÇK-së, Blerim Kuçi, e edhe të dy civilëve serbë që mbaheshin në Lladrovc gjatë kohës së luftës.

Prokuroria në rastin më të madh të Speciales synon që të vërtetojë se Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së ka vendosur edhe për ndalimin dhe lirimin e personave të ndaluar dhe se edhe gjykata ushtarake i bindej Shtabit.

Në gjykimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, është përmendur edhe Halil Qadraku. 

Për të, dëshmitari Kurtesh Fondaj pati thënë para gjykatës se ka qenë përgjegjës për zbulim-kundërzbulimin e UÇK-së, në Zonën Operative të Pashtrikut. Fondaj ka deklaruar në Zyrën e Prokurorit të Specializuar se Halil Qadraku normalisht duhet t’i raportonte Ekrem Rexhës, porse mbante kontakte me Kadri Veselin. 

E, Zyrapi gjatë dëshmisë së tij në muajin korrik ka thënë se Sadik Halitjaha dhe Halil Qadraku e akuzonin Ekrem Rexhën, i njohur si komandant “Drini”, por edhe vetë Zyrapin se ishin të rekrutuar nga FARK-u, formacion i armatosur nën komandën e Qeverisë në ekzil.

Ndërkaq, Sadik Halitjaha në dëshminë e tij, ka thënë se ai bashkë me Vesel Maliqin dhe Halil Qadrakun e përbënin zinxhirin komandues të Zonës Operative të Pashtrikut. Qadraku është përmendur edhe në gjykimin e Sali Veselit lidhur me akuzat për vrasjen e Ekrem Rexhës.

Në këtë rast gjyqësor, ish-presidenti Thaçi, ish-kryeparlamentarët Veseli e Krasniqi, si dhe ish-shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Selimi, akuzohen lidhur me ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Në bazë të aktakuzës së ZPS-së, e cila është publikuar në shkurt të vitit 2023, Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me rreth 100 vrasje, për tortura e trajtim mizor në rreth 40 qendra ndalimi gjatë periudhës 1998-1999.