25-vjetorin e çlirimit, Komuna e Skenderajt e ka shënuar me vendosjen në qendër të qytetit të skulpturës së 7-vjeçarit, Leotrim Ahmeti, që ishte vrarë në luftë. Kjo skulpturë u vlerësua se do të shërbejë si një dëshmi mbi sakrificën e popullit të Kosovës për çlirim dhe pavarësi
Vlerën e çlirimit, Komuna e Skenderajt vendosi që ta dëshmonte me çmimin që për të e pagoi një fëmijë i pafajshëm në luftë.
Figura e 7-vjeçarit Leutrim Ahmeti, nga Rrezalla e Skenderajt, që u vra nga një granatë e artilerisë serbe, u shpalos në bronz në vendlindjen e tij, 25 vjet pas çlirimit.
Në ceremoninë e vendosjes së skulpturës, nëna e Leotrimit, Shukrija, ishte fjalëpak tek shprehu mirënjohje për ata që i bënë nder familjes me prezencën e tyre për këtë rast.
“Kush është ardhë për këtë përvjetor të djalit e ditën e çlirimit, faleminderit tanëve”, tha ajo.
Familjari i Leotrimit, Milaimi, tha se më e dhimbshmja për ta është rënia e tij.
“Ky kthim na ngjallë dhimbje e mall për të rënët tanë e më e dhimbshmja është rënia e Leotrimit, martirit të njomë që e shoqëron babanë hero në botën e amshueshme”, deklaroi ai.
Skulpturën e Letrimit të kërrusur e me njërën dorë të mbërthyer përreth barkut ku e pati plagën, e ka punuar skulptori Sabri Behramaj, bazuar në rrëfimin që e pati dhënë e ëma e tij, vite më parë.
“Tha më kanë dalë zorrët, i thashë pse djali jem, veç e çoi xhamperin. E mora, e kapa tha ma, ma nënë se po më dhamin, mu ka shqy barku, i dolën përjashtë”, kishte rrëfyer ajo.
Behramaj tha se vepra e tij u dedikohet vuajtjeve të gjithë Leotrimëve që u flijuan për liri.
“Ka qenë një ngjarje shumë prekëse për mua, bashkëbisedimi i nënës me fëmijës e saj para se t’i vdiste. Ajo ka ndikuar që t’ia vendosë një parakusht vetes për të punuar një monument për Leotrimin dhe për të shpjeguar për historinë dhe vuajtjet që ka pasur Leotrimi dhe të gjithë Leotrimët e tjerë që kanë rënë për lirinë e vendit”, tha ai
E kryetari i Skenderajt, Fadil Nura, tha se skulptura do t’ua tregojë institucioneve vendore e atyre ndërkombëtare përpjekjet e popullit për t’u mbrojtur nga shfarosja.
“Leotrimin nga sot e përgjithmonë do ta kemi këtu në qendër të qytetit, në këtë hapësirë ku edhe fëmijët derisa luajnë e argëtohen do të kenë një kujtim në aspektin fizik, do të jetë një mesazh i fuqishëm për fëmijët të cilët ndërkohë që rriten do ta kujtojnë çmimin e lartë të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës”, theksoi Nura.
Në këtë organizim u shpreh edhe kërkesa për ngritjen e një obelisku në përkujtim të fëmijëve të vrarë gjatë luftës, teksa institucionet u kritikuan që edhe pas 25 vjetësh nuk e identifikuan numrin e saktë të tyre.
“Pushtetarët tanë ende nuk janë në gjendje së paku një herë në jetën e tyre, ta thonë numrin e saktë të këtyre fëmijëve”, deklaroi publicisti Nusret Pllana.
Të martën, në Skenderaj krahas Ditës së çlirimit u shënua edhe ajo e përkujtimit të dëshmorëve dhe martirëve të kësaj komune.