Një varg masash pritet t’i ndërmarrë Policia për t’i kontribuar uljes së numrit të aksidenteve në trafik. Sipas të dhënave të shpalosura nga ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, e drejtori i përgjithshëm i Policisë, Gazmend Hoxha, sivjet nga aksidentet kanë vdekur 104 persona. Ndonëse numri i vdekjeve është kualifikuar si më i ulët sesa vitin e shkuar, më 2023 është rritur për mbi 7 për qind numri i aksidenteve në trafik
Aksidentet me fatalitete të javëve të fundit kanë shtyrë Ministrinë e Brendshme (MPB) dhe Policinë të paralajmërojnë ashpërsimin e masave me qëllim të parandalimit dhe zvogëlimit të rasteve të tilla.
Në një konferencë shtypi, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, dhe drejtori i përgjithshëm i Policisë, Gazmend Hoxha, njoftuan për masat që janë ndërmarrë rreth aksidentit të javës së shkuar, në të cilin humbën jetën tre persona që ishin spektatorë në gara ilegale të shpejtësisë.
Ministri Sveçla bëri të ditur se komandantit të njësisë së trafikut në Prizren i është ndërruar pozita sikurse edhe përgjegjësit policor për sigurinë e trafikut në autostrada.
“Këtë vit kemi humbur 104 qytetarë në aksidente komunikacioni, duke përfshirë edhe këmbësorë. Si shoqëri nuk kemi asnjë qytetar për të humbur, veçanërisht për shkak të pakujdesshmërisë së dikujt apo mosrealizimit të detyrave të zyrtarëve tanë”, ka thënë Sveçla. “Ditëve në vijim do të aktivizojmë të gjitha mekanizmat ndërinstitucionalë për veprim në reagim dhe parandalim”.
Ai theksoi se numri i të vdekurve në aksidente trafiku është më i ulët krahasuar me vitet e shkuara.
Por drejtori i përgjithshëm i Policisë tha se numri i aksidenteve të trafikut sivjet është më i lartë, krahasuar më 2022-n.
“Ka një rritje prej 7.58 për qind të aksidenteve në total. Personat që kanë humbur jetën në aksidentet e trafikut në janar-17 dhjetor dhe kjo mbrëmë kanë qenë 46 për qind shoferë, 28,1 për qind këmbësorë, 28 për qind kanë qenë pasagjerë. Shkaktarët sipas analizave që policia e trafikut i ka identifikuar janë mosmbajtja e distancës së sigurisë ndërmjet mjeteve, manipulimi i pasigurt në automjet, mospërshtatja e shpejtësisë ndaj kushteve të rrugës, mosrespektimi i përparësisë së kalimit, kyçje e pasigurt në rrugë, radhitje e parregullt në ndërrim të shiritave dhe kthim rrethrrotullimi lëvizje prapa”, ka thënë drejtori Hoxha.
Ai ka theksuar se policia ka arritur të parandalojë 50 gara ilegale me automjete teksa ka shpërndarë 193 gjoba.