LAJMET E MBRËMJES

Sindikata akuzon menaxhmentin e “Pastërtisë” për keqpërdorim të parasë publike

Për të katërtën ditë radhazi, në rajonin e Ferizajt nuk janë grumbulluar mbeturinat. Punonjësit e kompanisë “Pastërtia” kanë kërkuar që pagat e tyre të rriten për 100 euro. Ata të enjten kanë refuzuar rritjen e premtuar prej 50 eurosh, ndërsa kanë akuzuar menaxhmentin për keqpërdorim të parasë publike

Punëtorët e kompanisë rajonale të mbeturinave “Pastërtia” në Ferizaj kanë refuzuar të enjten rritjen prej 50 eurosh të pagave të tyre, teksa e kanë vazhduar grevën e nisur që para katër ditësh.

Rritjen e premtuar prej 50 eurosh punëtorët e kanë refuzuar, shkaku që kërkesë e tyre ka qenë që pagat t’u rriten për 100 euro. Ata të enjten kanë akuzuar menaxhmentin e kompanisë për keqpërdorim të parasë publike, me arsyetimin se një operator ekonomik e ka paguar 170 mijë euro për servisimin e automjeteve në kohën kur, siç kanë thënë, nuk kanë as dorëza për të kryer punën e mbledhjes së mbeturinave.

Mexhid Ramusa, kryetar i sindikatës së punëtorëve të “Pastërtisë”, ka paralajmëruar veprime ligjore ndaj kompanisë.

“Ne i bëjmë thirrje Prokurorisë që të vijnë për të nisur hetime në këtë ndërmarrje për keqpërdorime, sepse mbi 170 mijë euro i janë paguar një operatori ekonomik brenda pesë muajve për renovimin e kamionëve. Me ato mjete kanë mundur që t’i blejnë 5 apo 6 kamionë të rinj. Këtu ka vjedhje sistematike”, ka thënë ai.

Punëtorët kanë këmbëngulur në vazhdimin e bojkotimit të punës deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.

“Jemi duke e mbajtur grevën për shkak se jemi të shkelur së pari prej drejtorit e pastaj edhe prej të tjerëve. Pastaj, kërkesat tona nuk janë askund, sepse na mungojnë dorëzat, veshmbathjet e të tjera. Edhe për paga jemi të shkelur nga fillimi, prej që ka ardhur ky drejtor, por edhe nga drejtorët e tjerë”, ka shprehur vërejtjet punëtori i kompanisë, Lulzim Beqaj.

E Basri Syla, drejtori ekzekutiv i kompanisë “Pastërtia”, i ka hedhur poshtë akuzat e punëtorëve për keqpërdorimin e parasë publike. Ai ka sqaruar se muaj më parë janë paguar borxhet e trashëguara nga ish-menaxhmenti.

“Unë kur kam ardhur këtu e kam trashëguar një obligim të një operatori, i cili i ka kryer shërbimet paraprakisht. E kemi realizuar dhe e kemi kryer atë obligim, por ka qenë diku rreth 80 mijë eurosh si obligim i operatorit të viteve paraprake, të cilat me menaxhim të mirë dhe me kursime i kemi arritur t’i mbulojmë”, ka thënë Syla.

Udhëheqësit e Sindikatës gjatë së enjtes kanë zhvilluar takime edhe me drejtuesit e Komunës së Ferizajt, porse nga ky takim nuk është arritur ndonjë pajtim mes palëve. Si rrjedhojë e grevës, në rajonin e Ferizajt, për tash e katër ditë nuk janë mbledhur mbeturinat.