Është shtyrë për 31 janar seanca fillestare ndaj Naim Murselit, Granit Plavës, Kushtrim Kokallës e Tom Dodajt, të dyshuar për vrasjen e Liridona Ademajt në nëntor të vitit 2023.
Trupi gjykues i Gjykatës Themelore në Prishtinë, të hënën e mori vendimin për shtyrje në seancës, pasi avokatët e të akuzuarve thanë se nuk janë pajisur me të gjitha shkresat e lëndës
“Nuk mund të vazhdojmë me këtë shqyrtim fillestar meqenëse avokatët Ndrec Dodaj dhe Agron Kuçi nuk janë të pajisur me shkresat e lëndës. Është hera e fundit që unë shtyj shqyrtimin për papërgjegjësitë e juaja”, ka thënë Fatime Dërmaku, kryetare e trupit gjykues.
Ndrec Dodaj, avokat i të akuzuarit Kushtrim Kokalla, ishte i pari i cili kërkoi që seanca të ndërpritej.
“Sot i kam pranuar shkresat e lëndës pak para se të hyj në gjykatë. Një koleg i imi i ka marrë dhe m’i ka dorëzuar sot. Në këtë situatë çfarë jemi unë nuk mund të kryej obligimin tim ndaj klientit për përmbajtjen e aktakuzës se si të deklarohet. Nuk jemi në gjendje që as t’i kundërshtojmë ato shkresa, mua po me vjen keq se në këtë gjendje nuk jam që të këshilloj klientin se si të vazhdoj. Për mua nuk janë plotësuar kushtet që të mbahet kjo seancë”, ka thënë Dodaj.
Prokurorja Javorka Perlinçeviq ka thënë se lënda u është dorëzuar palëve me kohë.
“Më 22 janar 2025 avokati Skënder Gojani e ka marrë lëndën me pajtimin e avokatit Ndrec Dodaj. Kjo ka qenë marrëveshje mes avokatit Skënder Gojani dhe Dodaj”, ka thënë ajo.
E mbrojtja e të akuzuarit Granit Plava e ka pranuar se e ka marrë lëndën edhe për avokatin Dodaj.
“Ai më tha se kur të shkon për vete merre edhe për mu. Kur kam shkuar në Prokurori i kam thënë prokurores a mund ta marr, ajo tha po. Unë e kam njoftuar avokatin Dodaj të premten dhe ai më tha vij të hënën e marr. E kam vetë edhe për aktakuzën”, ka deklaruar avokati i të akuzuarit Plava, Skënder Gojani.
Agron Kuçi, mbrojtës i të akuzuarit Tom Dodaj, është shprehur se klienti i tij nuk mund të deklarohet lidhur me fajësinë, si shkak i problemeve të sigurimit të aktakuzës.
“Kam problem me email, sot e kam marrë aktakuzën, shkresa të tjera nuk kam. Sot si mbrohet nuk mund të deklarohemi në lidhje me fajësinë”, ka thënë ai.
Për mosbindje ndaj gjykatës avokatit të të akuzuarit Kokalla, Ndrec Dodaj, iu shqiptua gjobë nga gjykata në shumën 500 euro.
Më 27 janar Gjykata Themelore në Prishtinë ngriti aktakuzë ndaj 4 të akuzuarve për vrasjen e Liridona Ademajt. Sipas aktakuzës, Naim Murseli ka deklaruar se motivi ishte presioni i lartë nga bashkëshortja dhe xhelozia e saj.
Granit Plava ka deklaruar se i është thënë se duhet të vrasë një biznesmene serbe. E Kushtrim Kokalla ka thënë se Murseli e ka lutur për një vit që ta vrasë Liridonën. I akuzuari i katërt, Tom Dodaj, sipas aktakuzës, ka thënë se ia ka shitur Murselit armën me 20 fishekë për 280 euro.
Liridona Ademaj është vrarë më 29 nëntor 2023, në orën 20:25, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë dhe fillimisht rasti ishte raportuar si vrasje gjatë grabitjes.