Kuvendi i Kosovës ka dështuar ta zhvillojë debatin e thirrur prej dy muajsh nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës si pasojë e mungesës së deputetëve në seancë. Jashtë seancës, Partia Demokratike kërkoi nga grupet parlamentare dakordim që sa më parë ta shpërndajnë Kuvendin, meqë tha se e enjtja e ardhshme është afati i fundit për t’ia përfunduar mandatin legjislativit
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës priti mbi dy muaj që debati i thirrur nga ajo për punën trevjeçare të Qeverisë të zhvillohej sipas agjendës së kryeministrit Albin Kurti. Të premten, ashtu siç ishte konfirmuar paraprakisht në Kryesi të Kuvendit, Kurti erdhi në seancë, por interesimi i deputetëve qe i ulët e për pasojë, me kërkesë të AAK-së debati u shty. Në këtë seancë AAK-ja kishte paralajmëruar të nxirrte një rezolutë që e kërkon dorëheqjen e kryeministrit ose shkarkimin e tij me mocion, e më pas edhe shpërndarjen e Kuvendit.
“Të gjithë parametrat e deritashëm sot, në trevjetorin e kësaj qeverie, janë dëshmi se janë plotësuar të gjitha kushtet që Qeveria ta përmbyllë mandatin e saj me dorëheqje, ose me mocion për shkarkimin e saj, të propozuar nga AAK. Pas dorëheqjes ose shkarkimit të Qeverisë, të shpërndahet Kuvendi i Republikës së Kosovës”, thuhet në draftin e rezolutës.
Arsyetimin për shtyrje të seancës e dha shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri.
“Në mungesë të deputetëve, në dakordim edhe me grupet parlamentare po e shtyjmë këtë debat. Në kryesi vendosim për datën”, u shpreh ai.
E mungesën e deputetëve e kritikoi kryeparlamentari, Glauk Konjufca, i cili seancën e nisi me mbi gjysmë ore vonesë.
“Vërtet nuk do të ishte mirë kjo seancë të ndodhte me 40 deputetë të pranishëm. Është edhe papërgjegjësi me pritë shumë gjatë, pritëm boll, gati 40 minuta. E ndërpremë këtë seancë”, ka thënë ai.
Jashtë seancës, shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, e kritikoi kërkesën për shtyrje dhe mospjesëmarrjen e plotë të AAK-së.
“Sot të gjithë ministrat e dikasterëve kryesorë, përfshirë edhe kryeministrin ishin prezentë, por ishte kërkesë e grupit parlamentar të AAK-së, ftuesit të kësaj seance që kjo të shtyhet për një datë tjetër. Është debati i tyre i kërkuar dy muaj më parë, ndërsa nga ana e tyre sot ishin vetëm tre deputetë”, u shpreh ajo.
Por, Besnik Tahiri i AAK-së arsyetoi deputetët e grupit të tij që i munguan debatit.
“Sot ka qenë një ngjarje e rëndësishme për heroin e kombit në Gllogjan, dy deputetë kanë munguar. Nuk ka qenë kryetari Ramush Haradinaj dhe deputetja Time Kadrijaj”, ka thënë Tahiri.
Ndërkaq kryetari i grupit të deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri, u shpreh se dështimi i seancës së sotme është pasqyrë e situatës në të cilën ndodhet Kuvendi i Kosovës.
“Përtej kësaj seance, përtej dështimeve të vazhdueshme, ju e shihni gjendjen në të cilën është Kuvendi i Kosovës. E kemi një shumicë e cila tashmë nuk i ka as numrat për t’ i kaluar ligjet që janë me shumicë të thjeshtë”, deklaroi ai.
E për të dalë nga kjo situatë Abelard Tahiri u bëri thirrje të gjitha subjekteve politike që të reflektojnë, siç tha, mbi kërkesën e tyre që të shpërndahet Kuvendi.
“Nëse deri më 30 maj ne nuk e arrijmë një dakordim për shpërndarjen e Kuvendit, e humbim mundësinë që qytetarët t’u drejtohen kutive të votimit më 30 qershor apo 7 korrik. Kjo është dita e fundit, ne nuk do t’i ndalim përpjekjet. Rezultatet e krejt këtij procesi besoj se do t’ua komunikojë ditëve në vijim kryetari i Partisë Demokratike”, shtoi ai.
Por sipas Kusari-Lilës, me deputetët aktualë është zor i arritshëm konsensusi për shpërndarje.
“Është paksa e paimagjinueshme të pritet shpërndarja e Kuvendit kur për debat të tre vjetëve në qeverisje ka aq pak deputetë në sallë, e lëre më të mendohet për një situatë e cila do të nënkuptonte përfundimin e punës së legjislaturës së tetë”, theksoi ajo.
Por, rrugën deri te zgjedhjet e reja AAK-ja e përsëriti se nuk pranon ta bëjë përmes shpërndarjes së Kuvendit.
“Kryeministri Kurtit duke u dorëzuar ka krijuar një pozicion për të negociuar kushtet e dorëzimit me opozitën. Por, ne këto kushte nuk i pranojmë, ne do të presim herët a vonë, kapitullimin e tij përmes dorëheqjes”, tha Tahiri.
Edhe Lidhja Demokratike nuk i ka vënë në dispozicion votat e deputetëve të saj për shpërndarje të Kuvendit, meqë ajo kërkon që vendi të shkojë në zgjedhje vetëm pasi që Qeveria të dorëhiqet.