“Askush nuk duhet dhe nuk mund të pretendojë se lehtësisht do të arrijmë që t’i zgjidhim krejt problemet që janë shkaktuar qe 24 vjet. Do të jetë e vështirë, shumë e vështirë, njerëzit janë të lodhur, viktimat kanë humbur besimin në sistem, gjenerata besa po vdesin përditë dhe kështu po humbet kumtesa parësore e luftës. Ky është një rrezik i madh, i cili na kanoset e të cilin nuk guxojmë ta lejojmë që të ndodhë. Duhet të sigurohemi që të bëjmë më të mirën që mundemi që të adresojmë gjithë atë çka ka ndodhur gjatë luftës së fundit në Kosovë”, ka thënë kryeministri, Albin Kurti
Kosova ende nuk i ka të dhënat e plota për krimet dhe dëmet që janë shkaktuar nga Serbia në luftën e viteve 1998-1999.
Evidentimi i tyre synohet që të bëhet njëzet e katër vjet pas luftës, nëpërmjet Institutit për Krimet e Luftës, i cili është rithemeluar nga Qeveria.
Megjithëkëtë, kryeministri Albin Kurti nuk e sheh të lehtë këtë punë. Në takimin e parë të hapur të Institutit për Hulumtimin dhe Dokumentimin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës, Kurti ka theksuar se për të pasur sukses, Instituti duhet që ta ketë përkrahjen e të gjithëve.
“Askush nuk duhet dhe nuk mund të pretendojë se lehtësisht do të arrijmë që t’i zgjidhim krejt problemet që janë shkaktuar qe 24 vjet. Do të jetë e vështirë, shumë e vështirë, njerëzit janë të lodhur, viktimat kanë humbur besimin në sistem, gjenerata besa po vdesin përditë dhe kështu po humbet kumtesa parësore e luftës. Ky është një rrezik i madh i cili na kanoset e të cilin nuk guxojmë ta lejojmë që të ndodhë. Duhet të sigurohemi që të bëjmë më të mirën që mundemi që të adresojmë gjithë atë çka ka ndodhur gjatë luftës së fundit në Kosovë”, ka thënë Kurti.
Ai ka theksuar se janë më shumë se 13 mijë persona të vrarë gjatë luftës së fundi, me mijëra të përdhunuar dhe mijëra të torturuar dhe të burgosur.
“Kemi përjetuar dëme shkatërruese që asnjëherë nuk i kemi matur. Edhe sot, mbi 24 vjet pas luftës, nuk kemi një shifër që do të mund të na tregonte se cili është dëmi ekonomik që lufta ia ka shkaktuar vendit tonë. E situata është edhe më keq në raport me dëmin emocional e psikologjik, të cilin nuk e kemi adresuar aspak për këto vite. Kjo është arsye pse patëm vendosur që ta fillojmë punën me një ekip që është marrë ekskluzivisht me përgatitjen e analizës, e cila do të ishte mënyra me e mirë për të proceduar themelimin e Institutit”, ka thënë ai.
Kurti ka bërë të ditur se Instituti nuk është themeluar me vendim dhe pa strategji operacionale, si dhe se nuk është nën mëshirën e donacioneve.
“Instituti për herë të parë në historinë e pasluftës parasheh divizion të veçantë për dëmin e shkaktuar material dhe jomaterial dhe për nevojat e viktimave, jo vetëm për krime. Megjithëkëtë, Instituti duhet të ketë përkrahjen e të gjithëve nëse dëshirojmë të ketë sukses. Nuk mund të funksionojë i vetëm. Nuk dëshirojmë për asnjë moment, në asnjë rrethanë që të hedhim poshtë gjithë punën e mirë që është bërë deri tash prej nismave të shumta”, ka theksuar ai.
E Atdhe Hetemi, drejtor i Institutit për krimet e luftës, ka thënë se Instituti ka për mision mbledhjen, arkivimin, hulumtimin dhe dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës, si dhe se do të punojë në shërbim të paqes dhe drejtësisë.
“Instituti simbolizon një hap të rëndësishëm në mbështetje të përpjekjes sonë për njohje dhe promovim të së vërtetës, rrjedhimisht për krijimin e parakushteve për paqe të qëndrueshme në Kosovë dhe në rajon. Andaj, synimi ynë është që të bashkëpunojmë ngushtë me të gjithë ata që kanë interes dokumentimin, hulumtimin dhe zgjerimin e njohurive rreth krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë”, ka deklaruar ai.
Hetemi ka bërë të ditur se detyrë e Institutit do të jetë publikimi i analizave që ndërlidhen me krimet historike, politike, socio-ekonomike, psiko-sociale, krime kundër njerëzimit, me qëllim të edukimit të publikut dhe brezave të ardhshëm mbi pasojat e luftës dhe rëndësinë e drejtësisë dhe paqes.