Mbi 4000 gjoba në trafik janë shqiptuar gjatë javës së kaluar në rajonin e Prishtinës, prej së cilave mbi 800 u përkasin atyre që janë evidentuar nga venturat inteligjente dhe ato me radarë mobilë. Në Polici nuk ofruan përgjigje nëse këto gjoba kanë filluar të shpërndahen përmes Postës në të gjithë rajonet e vendit. E dërgimin e gjobave në adresat e shoferëve qytetarë në Prishtinë thanë se e shohin si tejet të nevojshme.
Përmes veturave inteligjente dhe atyre me radarë mobilë, vetëm gjatë javës që shkoi Policia ka arritur që të shqiptojë mbi 800 gjoba në trafik vetëm në rajonin e Prishtinës.
Ndërsa, gjatë kësaj kohe ekzistojnë mijëra gjoba të shkruara në trafik në këtë pjesë të vendit, për shkelje të rregullave në komunikacion.
“Javën e kaluar ka rezultuar me shqiptimin e 4.433 masave administrative me gjobë për lloje të ndryshme të kundërvajtjeve dhe shkeljeve të kodit rrugor, prej tyre 826 të evidentuara nga vetura inteligjente dhe vetura me radarë mobilë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Në fillim të muajit prill Policia e Kosovës njoftoi se gjobat e trafikut tanimë do t’i dërgojë në adresat e pronarit të automjetit ose përmes platformës E-Kosova.
U tha se vendimi fuqizohet më 3 prill, por në Polici nuk ofruan përgjigje nëse procesi i dërgimit të gjobave me postë ka filluar edhe në rajonet e tjera, përpos atij të Prishtinës.
Sipas tyre, ende nuk kanë përfunduar procedurat e nevojshme për finalizim të këtij projekti.
Mirëpo, sipas përgjigjeve të marra prej drejtorive rajonale të policisë, u konfirmua se kjo formë e shpërndarjes së gjobave nuk është funksionalizuar ende në pjesë të tjera të vendit.
E qytetarë në Prishtinë thanë se e shohin si hap të rëndësishëm dhe të nevojshëm për gjobitjen e shoferëve në këtë mënyrë.
“Vendim shumë i duhur, se ka qenë i nevojshëm dhe është i nevojshëm. Për arsyje se njerëzit duhet të vetdijësohen që nuk tejkalohet shpejtësia vend e pa vend”, tha qytetari Isa Tolaj.
“Më mirë është me të ardhë me postë dënimi, sesa me e mbytë ose me e pengu dikë në rrugë, se këto gjëra nuk mund të ndalen ndryshe”, tha qytetari Heset Hasani.
“Edhe atë dënimin që e japin, pa marrë parasysh sa është, nuk e kisha zvogëlu brenda 15 dite, por e kisha lënë atë vendim sa e ka marrë, për t’u vetëdijsuar njerëzit se po kemi për çdo ditë raste të dhimbshme”, tha Beqir Osdautaj.
Shpërndarjen e këtyre gjobave do ta bëjë Posta. Për këtë para disa ditësh njoftuan se dërgimi i tyre veçse ka filluar.
Por, në Postë gjatë të hënës nuk ofruan përgjigje për mënyrat e shpërndarjes dhe për afatet kohore në të cilat ata detyrohet t’i dërgojnë gjobat.