LAJMET E MBRËMJES

Shoqëria civile kërkon nga Ministria llogaridhënie për dhunën mbi baza gjinore

Në kuadër të fushatës kundër dhunës me bazë gjinore, të mërkurën është lansuar “Programi kombëtar për trajtimin e kryerësve të dhunës ndaj grave”, i cili ka për qëllim ndryshimin e sjelljeve të dhunshme të kryerësve. Përfaqësues të shoqërisë civile kanë thënë se Ministria e Drejtësisë, që është organizatore e kësaj fushate, duhet të marrë përgjegjësinë për eliminimin e dhunës

Ministrisë së Drejtësisë i është kërkuar më shumë përgjegjësi në luftimin e dhunës në baza gjinore nga përfaqësues të shoqërisë civile. Llogaridhënia është kërkuar në ditën e pestë të fushatës “16 ditët e aktivizmit”, që organizohet pikërisht nga MD-ja dhe që, sipas saj, për qëllim ka vetëdijesimin dhe parandalimin e dhunës mbi baza gjinore.

Luljeta Demolli, drejtoreshë e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, ka thënë se ministrja Albulena Haxhiu po përdor platformën e shoqërisë civile, porse, sipas saj, Ministria duhet të jetë në rolin e llogaridhënësit.

“Do të doja pak më shumë një llogaridhënie, sepse jemi në alarm të dhunës në baza gjinore në Kosovë dhe do të doja të shihja më shumë se çka do të bëjnë, çka kanë bërë dhe të na shohin edhe si partnerë shoqërinë civile, por më shumë si dikush që na i dëgjon brengat. E jo me njëfarë mënyre me fasilitu krejt procesin ose këto 16 ditë aktivizëm”, është shprehur Demolli.

Ministria Drejtësisë ka shtuar ajo duhet të bëjë presion dhe të kërkojë llogari nga institucionet përgjegjëse për të vendosur drejtësi për gratë. Sipas Demollit, duhet të zbatohen Ligjet në fuqi dhe dhunuesit të dënohen me burgim, e të mos ketë vetëm paraburgime.

“Ministria do të duhej të përqendrohej në ato premtime që i ka vendosur, ka folur shumë këtë vit për byzylyk, ende nuk i kemi parë. Nuk kemi parë një fushatë se çka për dhunuesit, nuk kemi parë iniciativa pak më konkrete të cilat shkojnë në eliminim të dhunës”, ka thënë Demolli.

Të mërkurën, Ministria e Drejtësisë lansoi “Programin kombëtar për trajtimin e kryerësve të dhunës ndaj grave”, që për qëllim ka trajtimin psiko-social të dhunuesve.

Kryeministri Albin Kurti, në këtë aktivitet është shprehur se programi do të ofrojë qasje për parandalimin e përsëritjes së dhunës. Sipas tij, po investohet në sigurinë e kushteve të viktimave të dhunës.

“Krahas rehabilitimit psiko-social për ata që kanë kryer dhunë ndaj grave dhe vajzave synimi përfundimtar është në krijimin e një mjedisi të sigurt për të mbijetuarat, ofrimin i mbështetjes dhe sigurisë së nevojshme për të ecur përpara”, ka deklaruar Kurti.

Shefi i ekzekutivit ka treguar se si kanë rritur financimin për strehimoret mbi 100 për qind në vitin 2023. Po ashtu se është bërë ndryshime në Kodin Penal, ku dhuna ndaj grave cilësohet vepër penale.

Ndërsa ministrja Albulena Haxhiu ka treguar se qëllimi i programit është ndryshimi i mendësisë së dhunuesve dhe sjelljeve abuzive.

“Përmes dhjetë moduleve programi sfidon dhe transformon mendësinë dhe sjelljen abuzive të kryerësve, vetëdijeson kryerësit e dhunës për pasojat e veprimeve të tyre dhe i mban ata përgjegjës. Zhvillon aftësi të shëndetshme komunikimi dhe respektimin e marrëdhënieve ndërpersonale, si dhe shqyrton ndikimin e dhunës te prindërimi dhe fëmijët dëshmitarë”, ka thënë Haxhiu.

Ndërsa konsulentja vendore e Këshillit të Evropës, Adelina Badivuku-Toplica, ka thënë se qasja e programit ndikon jo vetëm në sjelljet individuale, por edhe në transformimin e besimeve dhe kushteve shoqërore që kontribuojnë në ekzistencën dhe vazhdimin e dhunës ndaj grave.

“Qasja psiko-edukative që është në zemër të këtij programi është kritike për të ndihmuar pjesëmarrësit që ta kuptojnë dinamikën e dhunës në familje, pasojat e dhunës, pasojat e saj sociale dhe ligjore dhe në rol thelbësor për ndryshim të sjelljes”, tha Badivuku-Toplica.

Nga janari deri më tash janë raportuar rreth 2.000 raste të dhunës në familje. Afro 90 për qind e këtyre rasteve të dhunës janë ndaj vajzave dhe grave.