LAJMET E MBRËMJES

Shoqëria civile: Dështimi i konstituimit i planifikuar nga VV-ja, seanca të thirret sa më parë

Formim të shpejtë e pa vonesa të institucioneve ka kërkuar shoqëria civile, pas dështimit për konstituimin e Kuvendit të martën. Derisa në KDI vlerësojnë se veprimet që pamundësuan verifikimin e mandateve të deputetëve kanë qenë të planifikuara nga partia më e madhe, Lëvizja Vetëvendosje, në IKD e konsiderojnë jo të duhur mënyrën e dorëheqjes së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

Presidentja Vjosa Osmani nuk mund t`i bëjë zgjidhje Kuvendit të Kosovës, pas situatës së krijuar, thotë hulumtuesja e Institutit Demokratik, Violeta Haxholli.

Pas dështimit të miratimit të raportit për verifikimin e mandateve të deputetëve është paralajmëruar se për çështjen në fjalë do t’i drejtohen presidentes.

Deri pasditen e së martës, nga Zyra e Presidentes kanë konfirmuar se nuk kanë pranuar asnjë shkresë.

Por, Haxholli thotë se edhe sikurse kjo letër t’i drejtohej, institucioni i vetëm për interpretimin e Kushtetutës është Kushtetuesja.
“Kur topi kalon te presidentja, as ajo nuk e ka mandatin që ta interpretojë Kushtetutën, nuk e besoj që ajo do ta ketë guximin ajo e di që nuk e ka se çfarë duhet të bëjë Kuvendi se si duhet të veprojë”, tha Haxholli.

Sipas saj, njoftimi i dorëheqjes së kryeministrit në detyrë, mospërfshirja e tij në raportin përfundimtar, është skenar i projektuar nga partia më e madhe, Lëvizja Vetëvendosje, në mungesë të votave të mjaftueshme për konstituimin e Kuvendit.

“Është mendu shumë më herët, është menduar që do të vijë këtu. Është një skenar i planifikuar mirë nga partia  e parë që të blejë kohë për të siguruar numrat për të formuar institucionet”, tha ajo.

E Instituti i Kosovës për Drejtësi konsideron se letra e Kurti drejtuar Konjufcës nuk përbën akt të dorëheqjes.

Sipas IKD-së, paqartësitë në lidhje me dorëheqjen e anëtarëve të qeverisë janë krijuar për shkak të mosrregullimit adekuat të Ligjit për Qeverinë.

“Në bazë të Ligjit nr.08/L-117 për Qeverinë e Republikës së Kosovës, kryeministri duhet të japë dorëheqje në momentin e betimit të tij si deputet. Nga ky moment Qeveria do të vazhdojë të funksionojë si qeveri në dorëheqje, porse nuk mund të udhëhiqet nga z. Kurti. Udhëheqja në këtë rast kalon te zv. kryeministri i Qeverisë në detyrë dhe postet ministrore udhëhiqen nga zv. ministrat. Përjashtim bëjnë rastet kur një ministër nuk është zgjedhur deputet, në këtë rast ai mund të vazhdojë të ushtrojë detyrën”, u tha nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

Profesori i së drejtës kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka deklaruar se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është dashur të jepte dorëheqje më herët nga kjo pozitë.

Ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, thotë se situata ka më shumë karakter teknik sesa juridik.

“Ai ka pasur për detyrë të jap më herët dorëheqje nga kryeministri ta quaj, përndryshe është kryeministër në detyrë , nuk është kryeministër fuqiplotë është vetëm legal ka për detyrë kushtetuese që të vazhdoj punën derisa të vjen kryeministri i ri, dhe ky mund ta kryej funksionin e deputetit edhe ta kryej funksionin e përkohshëm të kryeministrit derisa të vijë një kryeministër i ri se nuk e lejon Kushtetuta që ta lë zyrën thatë…Duhet me dhënë dorëheqje sepse ai duhet të votoj për konstituimin e institucioneve, dhe duhet të jap dorëheqje në kuptimin që ta merr detyrën e re….e vonuar se është dashur më herët kur ka filluar verifikimi i mandateve është dashur sikur partitë tjera së bashku me partinë e vetë. është dashur me shkua me marr mandatin si çdo parti tjetër”, tha Kryeziu.

Ndërsa ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, thotë se Kuvendi i Kosovës nuk është bllokuar dhe mund të mblidhet çdo 48 orë, pasi deputetët dështuan ta konstituojnë këtë institucion.

Në një intervistë për REL-in ai ka thënë se edhe opozita ka gabuar për shkak se e gjithë kjo është një proces formal.