LAJMET E MBRËMJES

Shërbime të reja online që ofrohen nga niveli lokal i qeverisjes

Është lansuar platforma e re elektronike “E-Komuna”, që ofron shërbime të reja të nivelit lokal. Në fazën e parë, në të mundësohet ndjekja e transmetimit të mbledhjeve të asambleve komunale, qasja te pasuria e zyrtarëve komunalë, raportimi i problemeve në komunë, biseda me zyrtarët komunalë e të tjera

Është lansuar të premten platforma “E-Komunat” nëpërmjet së cilës qytetarëve u mundësohet të marrin një numër shërbimesh, të informohen për zhvillimet në komuna dhe të krijojnë linjë komunikimi me zyrtarët komunalë.

Ajo do të funksionojë në kuadër të platformës “E-Kosova”.

Kryeministri Albin Kurti, që mori pjesë në lansimin e këtij projekti të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, tha se platforma do ta përmirësojë transparencën dhe llogaridhënien brenda administratave komunale.

“Këto shërbime rrisin interaksionin në mes të komunarëve dhe qytetarëve duke e bërë qytetarin pjesë aktive të vendimmarrjes dhe duke bërë që ai të jetë i njoftuar në kohë reale për zhvillimet në komunën e tij. Përmes transmetimit direkt të asambleve komunale, debatet me zyrtarët komunalë, raportimet e problemeve e qasjes në informata, qëllimi është të krijohet një linjë e drejtpërdrejtë komunikimi në mes të qytetarëve dhe të zgjedhurve të tyre në nivelin lokal”, ka thënë kryeministri Kurti.

E, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka thënë se platforma e re “E-Komuna” është realizuar nëpërmjet marrëveshjeve me partnerë ndërkombëtarë. Sipas tij, ky është vetëm fillimi i digjitalizimit të shërbimeve për qytetarët.

“Disa nga shërbimet që planifikohen në fazën e parë janë: Transmetimi i mbledhjeve të asambleve komunale, qasja te pasuria e zyrtarëve komunalë, raportimi i problemeve në komunat përkatëse, bisedat me zyrtarët komunalë, informacionet mbi komunat, inicimi dhe pjesëmarrja në debatet publike”, ka thënë ministri Krasniqi. “Përmes këtyre shërbimeve qytetarët kanë mundësi të adresojnë më lehtë kërkesat e tyre tek organet komunale. Në fazën e dytë do të përfshihen edhe shërbime të tjera, si dhe module shtesë”.

Në platformën shtetërore “E-Kosova” janë të regjistruar mbi 880 mijë qytetarë e të cilët kanë mundësi të marrin mbi 155 shërbime elektronike, duke përfshirë certifikatat e digjitalizuara të gjendjes civile, certifikatat e pronave dhe kopjet e planit, faturat e tatimit në pronë, gjobat në trafik, certifikatat e historisë penale e edhe mund të kryejnë aplikim për grante të tjera.