Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian presin që javët e ardhshme, Kosova e Serbia të arrijnë pajtimin rreth çështjes së dinarit, teksa palët janë zotuar që t’i dërgojnë propozimet deri këtë të premte. Derisa ambasadori i SHBA-së, Jeffrey Hovenier, deklaroi të mërkurën se duan ndryshimin e mënyrës së zbatimit të Rregullores së BQK-së, Emisari i BE-së, Miroslav Lajçak, tha se nga takimi me dy kryenegociatorët ishte e rëndësishme të vërtetoheshin disa fakte
Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) kanë kërkuar të mërkurën ndryshimin e mënyrës së zbatimit të Rregullores së Bankës Qendrore (BQK), e cila e ndalon dinarin serb si mjet pagese në Kosovë.
Një ditë pasi kjo çështje u diskutua në Bruksel nga ana e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, të mërkurën atij i ka shkuar në zyrë ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier. Ai tha se ka parë sinjale pozitive në zgjidhjen e kësaj çështjeje, tek e përsëriti qëndrimin amerikan.
“Ne e respektojmë autoritetin e Bankës Qendrore të Kosovës. E kuptojmë se ajo ka përgjegjësi të qeverisë dhe të përcaktojë politikën e monitorimit për të gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Këtu nuk bëhet fjalë për dinarin, por për mënyrën se si Rregullorja e Bankës Qendrore do të zbatohet. Siç foli kolegu im Escobar javën e kaluar, ne jemi të shqetësuar për mënyrën se si zbatohet, pasi mund t’i prekë qytetarët e cenueshëm, që nuk kufizohet vetëm në komunitetin serb të Kosovës”, ka thënë Hovenier. “Ne mendojmë se është e rëndësishme të ndryshohet mënyra e zbatimit të tij për të adresuar këto shqetësime dhe bisedat tona për këtë vazhdojnë. Është mirë të shohësh se ka mundësi edhe për Kosovën, edhe për Serbinë që të japin disa mendime se si mund të bëhet kjo me takime vijuese javën e ardhshme nën autoritetin, nën përgjegjësinë e Lajçakut, ne i mirëpresim të gjitha këto”.
Propozimet të cilat i përmendi Bislimi që do t’ia dërgojnë Brukselit deri të premten, Hovenier tha se nuk i janë shpalosur në takim.
“Nuk më ka propozuar, nuk më ka dhënë propozime konkrete. Mendoj se qeveria ende po punon për to. Ne i ndamë pikëpamjet tona, të cilat i kam shpalosur vazhdimisht, sepse ne duam të jemi konstruktivë në këtë proces. Mendojmë se është një çështje shumë e rëndësishme për t’u trajtuar”, ka shtuar ai.
Me gjithë kundërshtimin e ndërkombëtarëve, Rregullorja e BQK-së hyri në fuqi më 1 shkurt të këtij viti.
Në takimin e së martës në Bruksel, Kosova dhe Serbia u pajtuan që të dërgohen propozime rreth dinarit. Për to do të diskutohet në takimin e radhës, i caktuar të mbahet të hënën e 25 marsit.
Emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, tha se nga ky takim ishte e rëndësishme të vërtetoheshin disa fakte. Sa i përket zbatimit të marrëveshjes bazë, emisari Lajcak ka thënë se ajo duhet të adresohet në nivel të liderëve.
“Ishte e rëndësishme të vërtetoheshin disa fakte dhe u pajtuam që të vazhdojmë diskutimin tonë për këtë çështje të hënën e ardhshme në Bruksel, bazuar në propozimet konkrete dhe realiste që palët pritet t’i paraqesin paraprakisht. Në të njëjtën kohë, takimi tregoi gjithashtu se zbatimi i Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe mënyrat shtesë se si të zyrtarizohet ajo, do të duhet të adresohen në nivelin më të lartë në një takim të liderëve nën kujdesin e Dialogut”, ka shkruar Lajçaku në “Facebook”.
Edhe pse janë mbushur një vit që prej arritjes së dakordimit për Aneksin e Zbatimit të Marrëveshjes, asnjëra prej pikave nuk ka nisur së zbatuari. Deri tash, Brukseli është marrë me menaxhimin e situatës së sigurisë në veri, e cila u përshkallëzua vitin e kaluar pas vendosjes së kryetarëve shqiptarë në objektet komunale.