LAJMET E MBRËMJES

SHBA-ja ia dhuron Kosovës 7 dronë, 6 për Policinë e 1 për Inspektoratin

Policia e Kosovës dhe Inspektorati Policor kanë pranuar të mërkurën një donacion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dronët e dhuruar nga SHBA-ja, udhëheqësit e institucioneve të rendit, thanë se do të ndikojnë në rritjen e kapaciteteve të tyre

Policia e Kosovës ka pasuruar flotën e dronëve edhe me gjashtë të tjerë, donacion prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Një tjetër dron i është dhuruar Inspektoratit Policor të Kosovës.

Me rastin e pranimit të donacionit, të mërkurën, udhëheqës të Policisë e të Inspektoratit, folën për rëndësinë e posedimit të dronëve, me theks të veçantë pas zhvillimeve të fundit në veri.

Drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha, tha se donacioni do të ndikojë në ngritjen e kapaciteteve për menaxhimin e situatave në teren.

“Donacioni i sotëm e kompleton Policinë e Kosovës dhe ndihmon në zgjerimin e kapaciteteve të saj për të menaxhuar sa më mirë dhe sa më drejtë, në mënyrë profesionale po ashtu edhe sa më transparente punën e saj. Mendoj që edhe transparenca e datës 24 ka bërë që Policia e Kosovës të gëzojë respektin për punën që ka bërë atë ditë, Kjo është bërë përmes filmimeve që kane kemi marrë nga dronët”, theksoi Hoxha.

Donacioni i bërë, sipas ambasadorit Jeffrey Hovenier, është dëshmi e besimit dhe mbështetjes që SHBA-ja ka për institucionet e zbatimit të ligjit.

“Këto pajisje do të sigurojnë mbikëqyrje si dhe ofrojnë mbështetje taktike dhe siguri të perimetrit për misionet policore. Ato mund të monitorojnë zona të ndjeshme dhe të largëta që përdoren për kontrabandim, të emigrantëve për trafikim të fshehtë të lëndëve narkotike si dhe aktivitete të tjera të paligjshme të kontrabandës”, tha Hovenier.

Hovenier tha se në pesë vjetët e fundit SHBA-ja ka dhuruar më shumë se 20 milionë dollarë për organet e zbatimit të ligjit në Kosovë.

E kryeshefi i Inspektoratit Policor, Kushtrim Hodaj, u shpreh se zhvillimet e fundit kanë spikatur domosdoshmërinë e nivelit të lartë profesional të Policisë së Kosovës.

“Pajisjet e tilla të teknologjisë bashkëkohore siç janë këto modelet e dronëve do të na ndihmojnë edhe më shumë që të mbajmë lart nivelin profesional të Policisë dhe të monitorojmë edhe më lehtë praninë e zyrtarëve policorë. Besojmë që kjo do të përkthehet në shërbime më profesionale, më efikase dhe gjithmonë në zbatimit të ligjit dhe ofrim i sigurisë më të madhe për qytetarët e Kosovës pa dallim”, theksoi Hodaj.

Përdorimi i dronëve nga Policia pas sulmit në Banjskë të Zveçanit, ka mundësuar identifikimin e udhëheqësit të grupit paramilitar serb, Milan Radoiçiq e ofrimin e pamjeve nga vendi i ngjarjeve, në mesin e të cilave edhe atë të ikjes së terroristëve.