Reagime të shumta ka nxitur vendimi i Listës Serbe që të mos marrë pjesë në votimin e 21 prillit për largimin e kryetarëve në katër komunat në veri. Ai është pritur me shqetësim e keqardhje nga SHBA-ja dhe Gjermania. E një parti tjetër e serbëve në Kosovë e sheh të pamundur suksesin e votimit pa përfshirjen e Listës Serbe
Me keqardhje është parë vendimi i Listës Serbe që të bojkotojë procesin e votimit të 21 prillit për shkarkim të kryetarëve të katër komunave veriore nga ndërkombëtarët.
Të hënën, përmes një përgjigjeje për KOHËN, nga Ambasada e SHBA-së në Prishtinë theksuan rëndësinë e së drejtës së qytetarëve për të shkarkuar zyrtarët e zgjedhur. Pritje për procesin shprehën edhe karshi institucioneve të Kosovës.
“Ne vlerësojmë përpjekjet e bëra nga zyrtarët kosovarë të zgjedhjeve për t'i lejuar të gjithë qytetarët e Kosovës të marrin pjesë në këtë proces demokratik. Mundësi pjesëmarrjeje kanë të gjithë qytetarët e regjistruar në veri të Kosovës. Na vjen keq për deklaratën e Listës Sërpska se ata do të tërhiqen nga pjesëmarrja në votimin për tërheqjen e kryetarit të komunës. Pjesëmarrja demokratike ndihmon për t'u siguruar që udhëheqësit janë përfaqësues të popullatave të cilave u shërbejnë. Votimi është një liri kritike e shoqërive demokratike. Presim që Qeveria e Kosovës të jetë e ndjeshme ndaj shqetësimeve të qytetarëve të saj në veri të Kosovës gjatë gjithë këtij procesi. Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë do të vazhdojnë ta ndjekin këtë proces nga afër”, u tha nga Ambasada e SHBA-së.
Më i ashpër në reagimin e tij ndaj paralajmërimit për bojkotim nga ana e Listës Serbe ishte ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde.
Ai i tha Telegrafit se një veprim i tillë është presion ndaj qytetarëve në veri.
“Është jashtëzakonisht për të ardhur keq dhe më duhet të them shqetësuese që Lista Serbe ka vendosur sërish që të mos marrë pjesë në votim. Është një rast i qartë këtu që qytetarëve në veri janë përsëri duke u bërë presion që të mos marrin pjesë në proceset demokratike”, tha Rohde.
Pas deklaratës së ambasadorit gjerman i menjëhershëm ishte reagimi i Listës Serbe. Mes tjerash, thanë se nuk do të bëjnë presion mbi serbët për procesin, por që do të shohin se sa serbë do të mund të përfshihen në të.
E sipas Aleksandër Jablanoviqit, kryetar i Partisë së Serbëve të Kosovës, veprimi i Listës Serbe është në kundërshtim me interesin e qytetarëve e që, sipas tij, është largimi i kryetarëve të zgjedhur nga komunat Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin-Potok e Leposaviq.
“Thirrjet për bojkot nga Lista Serbe sigurisht që kanë ndikim, veçanërisht për shkak të procedurës së ndërlikuar për zëvendësimin e kryetarit. Serbët ishin mënyra e vetme unike për zbatimin me sukses të referendumit, por kjo sigurisht që nuk do të ndodhë tani, sepse Lista Serbe po luan një lojë solo dhe nuk është duke punuar në interes të popullit serb. Dhe vendimet që merr nuk janë në përputhje me atë që përfaqësonte Lista Serbe vetëm 3 muaj më parë kur pranuan nënshkrimin e peticionit dhe të gjithë procedurën për shkarkimin e kryetarit”, tha Jablanoviq.
Në lidhje me bojkotin e paralajmëruar nga Lista Serbe, nga Qeveria dhe Bashkimi Evropian nuk janë deklaruar, me gjithë pyetjet e shtruara.
Që kryetarët të shkarkohen duhet të votojë pro 50 për qind e trupës elektorale plus një votues. Në rast të dështimit, inicimi i një votimi të tillë nuk është i mundur brenda një viti.