Takime në margjina të Forumit Ekonomik në Davos të Zvicrës janë zhvilluar të martën. Nga diskutimet e zhvilluara është konfirmuar koordinimi në mes të SHBA-së e BE-së në lidhje me çështjet që kanë të bëjnë me Ballkanin. Takim me përfaqësues të SHBA-së ka paralajmëruar edhe kryeministri Albin Kurti derisa ka përmendur mundësinë edhe të pjesëmarrjes me të njëjtin panel me presidentin Vuçiq.
Ballkani ka qenë në fokus të diskutimeve që përfaqësues të Bashkimit Evropian e të Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë zhvilluar në margjina të Forumit Ekonomik në Davos.
Para paneleve që do të zhvillohen gjatë javës në kuadër të Forumit që ka nisur të hënën mbrëma janë takuar emisari i BE-së, Miroslav Lajçak e ndihmëssekretari amerikan, James O`Brien.
Në njoftimin e ndarë nga emisari Lajçak është thënë se BE-ja e SHBA-ja janë në një vijë për të ardhmen e Ballkanit.
“Nisa javën në Davos me ndihmëssekretarin amerikan, Jim O’Brien. E rëndësishme të kemi këtë bisedë për Ballkanin pikërisht në fillim të vitit. Ne duam që ta shohim rajonin teksa lëviz përpara për të mirën e qytetarëve të vet. Është mirë të konfirmojmë se jemi plotësisht në të njëjtën faqe”, tha Lajçak.
Në Davos të Zvicrës, ku është duke u mbajtur Forumi Ekonomik, është duke qëndruar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Në lidhje me agjendën e tij hollësi nuk janë shpalosur nga zyra e tij, por të hënën mbrëma Kurti në një deklarim për televizionin publik ka paralajmëruar takim me ndihmëssekretarin amerikan James O'Brien.
Ndonëse në agjendën e Forumit nuk është paraparë, Kurti ka shtuar mundësinë që të jetë në një panel diskutimi me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Sipas agjendës, Vuçiqi është folës në diskutimin “A new Dawn for Euroasia”, të enjten, më 18 janar, duke filluar nga ora 10.
Presidenti Aleksandar Vuçiq ka thënë se shtetit i tij me entuziazëm të madh po fillon zbatimin e planeve të mëdha dhe se këtë do ta diskutojë me liderë, investitorë dhe biznesmenë të shumtë në ditët në vijim.
Nga Bashkimi Evropian kanë bërë të ditur se në Zvicër nuk do të ketë takim në mes të kryeministrit Kurti e presidentit Vuçiq, por që me të dy liderët pritet të takohet emisari i BE-së, Miroslav Lajçak.
Forumi në Davos të Zvicrës ka nisur të hënën mbrëma e do të përmbyllet të premten.