LAJMET E MBRËMJES

Shala dhe Januzi pranojnë akuzat për frikësim të dëshmitarëve

Haxhi Shala, Sabit Januzi, si dhe Ismet Bahtijari kanë lidhur marrëveshje me Prokurorinë në Hagë për pranimin e fajësisë lidhur me akuzën për frikësim gjatë procedurës penale. Marrëveshjet e Shalës dhe Januzit do të shqyrtohen të mërkurën, në një seancë të veçantë të Gjykatës Speciale. E, sipas gjykatës, ajo e Bahtijarit nuk i plotëson kushtet ligjore

Tri marrëveshje për pranimin e fajësisë i ka pranuar Gjykata Speciale në rastin ku Haxhi Shala, Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari akuzohen për frikësimin e një dëshmitari. 

Për këtë ka njoftuar të martën edhe Zyra e Prokurorit të Specializuar që është mburrur për hetimet e saj. 

“Arritja e zyrës sonë për t’i përfunduar këto marrëveshje është dëshmi e forcës së hetimeve tona lidhur me çështjet e frikësimit dhe pengimit të drejtësisë… Ne e bëmë këtë pas një shqyrtimi të kujdesshëm që mori parasysh, midis të tjerave, rëndësinë e pranimit të përgjegjësisë në këtë kontekst, përfitimet e arritjes së përmbylljes herët të çështjes në mënyrë të drejtë dhe mendimet e viktimave”, ka thënë Kimberly West, kryeprokurore e ZPS-së.

Në dy seanca që pritet të mbahen më 18 dhjetor 2024, trupi gjykues do t’i konfirmojë marrëveshjet me Shalën dhe Januzin, duke i pyetur ata se a i kanë lidhur marrëveshjet për pranimin e fajësisë me vullnet të lirë, se a janë konsultuar mjaftueshëm me mbrojtësit dhe se a i kuptojnë përfitimet dhe pasojat që rrjedhin nga aprovimi i marrëveshjes për pranimin e fajësisë.

Në vendimin për caktimin e këtyre dy seancave gjykata nuk ka caktuar seancë për Bahtijarin. 
Kjo meqë, sipas trupit gjykues, marrëveshja mes ZPS-së dhe Bahtijarit nuk i plotëson kushtet ligjore. 
“Pa paragjykim mbi vendimin e ardhshëm të trupit gjykues të Dhomës së Apelit, nëse ZPS-ja ia lë çështjen Apelit, trupi gjykues (v.j. i Themelores) konstaton se në këtë fazë të procedurës, versioni i rishikuar i marrëveshjes, respektivisht ndërmjet ZPS-së dhe Shalës (Marrëveshjes së rishikuar për pranimin e fajësisë së Shalës) dhe ajo ndërmjet ZPS-së dhe Januzit (Marrëveshjes së rishikuar për pranimin e fajësisë së Januzit), përputhen me kriteret e rregullit 94 (2) të rregullores, për arsyet e përmendura në vendimin për seancën, lidhur me pranimin e fajësisë. Ndryshe, trupi gjykues konstaton se versioni i rishikuar i marrëveshjes së ZPS-së me Bahtijarin (Marrëveshjes së rishikuar për pranimin e fajësisë së Bahtijarit) vazhdon të mos i përmbushë këto kritere”, thuhet në vendimin e trupit gjykues. 
Zyra e Prokurorit të Specializuar e akuzon Shalën se ndërmjet 5 prillit dhe 12 prillit 2023 ka ndërmarrë veprime të ndryshme, shpesh në bashkëkryerje me të akuzuarit Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari, “ku përmes frikësimit apo ofrimit të shpërblimit, e kanë nxitur dëshmitarin 1 të tërhiqet nga dëshmia apo të gënjejë gjatë dëshmisë së tij në Speciale”.

Dëshmitari 1, siç pati deklaruar gjykata, ishte dëshmitar i ZPS-së në rastin më të madh të Speciales dhe dëshmia e tij ndërlidhej me ish-shefin e deputetëve të LVV-së, Rexhep Selimi. 

Sipas dispozitave ligjore, dënimi për veprën “frikësim gjatë procedurës penale” është nga 2 deri në 10 vjet burgim.