LAJMET E MBRËMJES

Shaban Gogajt i mbetën më pak se 6 muaj që të dalë nga burgu, pasi Apeli ia zvogëloi dënimin

Shaban Gogajt, i dënuar me 7 vjet e 6 muaj burgim për vrasjen e 29-vjeçarit Agonis Tetaj, iu ul dënimi edhe për një vit nga Gjykata e Apelit. Ky organ vendosi që Gogajt t’i ulet dënimi sa i përket veprës penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”. Avokati i familjes së Tetajt e quajti vendimin skandal të drejtësisë. Tmava ka thënë se familja e Tetajt e ka përjetuar rëndë vendimin e Apelit.

Edhe më pak se gjashtë muaj burg i kanë mbetur Shaban Gogajt, të cilit Gjykata e Apelit, ia uli dënimin për një vit, për vrasjen e 29-vjeçarit, Agonis Tetaj, e cila ishte kualifikuar si vrasje nga pakujdesia.  
Apeli vendosi që nga 7 vjet e 6 muaj burgim sa ia kishte shqiptuar Themelorja, Gogajt t’i zbutet dënimi në 6 vjet e 6 muaj, sa i përket veprës penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.
Me këtë vendim, Gogaj do të lirohet më së largu në fund të marsit të vitit të ardhshëm.
Vitin e kaluar, dënimin e njëjtë prej 7 vjet e gjysmë të Themelores, Apeli e kishte kthyer në rigjykim për shkak të shkeljeve që kishte gjetur. 
Ndërkaq, këtë vit, dënimin e njëjtë pas rigjykimit në Themelore, Apeli e ka ulur për një vit.
Kjo sipas avokatit të familjes së Tetajt, është skandaloze për drejtësinë.

“Ky vendim është në kundërshtim me vendimin e vetë Gjykatës së Apelit me vendimin paraprak që ka marrë. Është vendim skandaloz”, theksoi avokati i familjes Tetaj Berat Tmava. 

Avokati tha se familja e ka përjetuar rëndë vendimin e Apelit.

Në një intervistë për KOHËN, kur Gogaj ishte dënuar në mars me 7 vjet e gjysmë, prindërit e Agonisit ishin shprehur thellësisht të zhgënjyer me sistemin e drejtësisë. 

“Nëse nuk na dëgjon kurrkush, atëherë duhet t’i çojmë duart prej drejtësisë”, pati thënë, Nurie Tetaj, nëna e Agonis Tetajt.

“Njëherë tentova, si fola, ma bënë vërejtjen të më qesin jashtë. E, rrija unë aty, mos fol, veç këqyr seri”, pati shtuar babai i tij, Isuf Tetaj.

Avokati i familjes së Tetajt thotë se prindërit nuk kanë më të drejtë ankese ndaj këtij vendimi të Gjykatës.

“Për momentin, vetëm prokurori i çështjes ka të drejtë të bëjë kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë, si mjet i jashtëzakonshëm. Ndërsa pala e dëmtuar më nuk ka të drejtë të ushtrojë kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Supreme”, thekson Tamva.

Rasti fillimisht qe kualifikuar si vrasje e rëndë nga Prokuroria e Pejës.

Më pas, atë e kishte marrë Prokuroria në Gjilan që e kualifikoi si vrasje nga pakujdesia.

Pasi familja e Tetajt kishte publikuar videoxhirimin që shpërfaqi se si ndodhi vrasja, organet e drejtësisë caktuan prokuror tjetër që e kualifikoi prapë veprën si vrasje të rëndë.

Rasti për muaj të tërë ishte bllokuar, pasi Gogaj refuzonte avokatët e tjerë, pos Besnik Berishës, e Oda e Avokatëve nuk dërgonte avokat tjetër.

Familja kishte shprehur gjatë gjithë kohës akuza për ndikime të shumta gjatë procesit.

Kësisoj, në tetor të 2022-tës, Gjykata Themelore në Pejë e kishte dënuar Gogajn me 7 vjet e 6 muaj burgim. 

Në mars të 2023-tës, Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rigjykim.

Në mars të këtij viti, Themelorja sërish e dënoi Gogajn me 7 vjet e gjysmë burgim, për t’u ndryshuar nga Apeli.

29-vjeçari Agonis Tetaj ishte vrarë në vendin e tij të punës në shtator të vitit 2018.

Në videon e publikuar shihet se si Gogaj ia drejton armën Tetajt, që ishte punëtor në kompaninë e tij dhe më pas shkrep në të.