Pas dorëzimit të kërkesës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së ndryshimeve në ligj, kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, ka thënë se është kërkuar gjithashtu masë sigurie deri në vendimin e Kushtetueses, pasi që “në të kundërtën dëmtohet buxheti”. Veprimi ka nxitur reagimin e ministrit të Financave, Hekuran Murati, i cili ka akuzuar opozitën se nuk e ka hallin as të qytetarit dhe as të shtetit. Ndërkaq Kuvendi Komunal i Graçanicës ka marrë vendim të premten që ta bëjë faljen e 100 eurove të tatimit në pronë për të gjithë qytetarët e komunës
Për rreth 3 milionë euro përllogaritet se do të zvogëlohen të hyrat në Komunën e Prizrenit po qe se vendimi për faljen e 100 eurove të tatimit, që parashihet me Ligjin për Tatimin në Pronë, do të marrë miratim.
Ky ligj është atakuar të premten në Gjykatën Kushtetuese nga Komuna e Prizrenit, me kërkesën për verifikimin e kushtetutshmërisë së tij.
Shaqir Totaj, kryetari i Prizrenit, ka thënë se me ndryshimet në ligj po ndërhyhet në kompetencat e komunave.
“Unë jam i sigurt se është evidente që ky ligj për tatim në pronë ndërhyn në kompetencat e komunave sa i përket autonomisë financiare dhe tenton që t’i zvogëlojë të hyrat, ku dëmi për të gjitha komunat e Kosovës do të jetë diku rreth 30 milionë euro. Te komunat e mëdha më shumë, te komunat e vogla më pak. Te Prizreni, konkretisht, zvogëlimi i të hyrave do të jetë 3 milionë euro”, ka thënë ai.
Teksa e ka dorëzuar dosjen me kërkesë për verifikimin e kushtetutshmërisë së ligjit, Totaj ka thënë se për këtë e ka marrë autorizimin nga Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK).
“Unë e kam dorëzuar kërkesën në emër të Prizrenit, por problemet e njëjta i kanë pothuajse të gjitha komunat e Kosovës dhe një vendim eventual pozitiv që presim që do të vlejë për të gjitha komunat dhe jo vetëm për Prizrenin”, ka thënë ai.
Dërgimi në Kushtetuese i ligjit ka nxitur reagim nga ministri i Financave, Hekuran Murati. Ai e ka akuzuar opozitën se nuk e ka hallin e qytetarit dhe as të shtetit.
“Për ligjin që e kishin miratuar vetë më 2018, ligj i cili parashihte vlerësimin e pronave, sipas tregut, dhe që parashihte që përveç tatimit në objekte të fillonte edhe të llogaritej tatimi në tokë me 100 për qind të vlerës në vitin 2023, tentuan t’ia hedhin fajin qeverisë sonë. Thanë se qytetarit po i vihej barrë e papërballueshme dhe se po të ishte në dorën e tyre do ta lehtësonin këtë barrë”, ka shkruar Murati në rrjetin social Facebook.
Murati ka thënë po ashtu se Qeveria i ka iniciuar ndryshimet, duke ua mundësuar komunave që t’i falin faturat e tatimit në pronë në vlerën deri në 100 euro për vitin 2023, për të gjithë tatimpaguesit.
“Dhe, çfarë bëjnë tash ata që para 6 muajsh e ‘qanin hallin e qytetarëve?’. E dërgojnë ligjin në Gjykatë Kushtetuese. Pra, po dëshmohet edhe një herë që britmat këta nuk i kanë as për qytetarin e as për shtetin”, ka shkruar ai.
E këtë veprim “të opozitës” Murati e ka quajtur të kotë.
“Krejt çka po duan të bëjnë me këtë potez kasta e vjetër politike, është që të fshihen prapa Gjykatës Kushtetuese, se gjoja ata ‘do ta kishin miratuar zbritjen e tatimit, por ja që ligji është bllokuar në Gjykatë Kushtetuese’. Por kjo nuk pi ujë”, ka shtuar ministri.
Murati ka përsëritur se ligji tashmë është në fuqi dhe se data 15 shtator është e fundit që komunat të vendosin për faljen apo jo të një pjese të tatimit në pronë për të gjithë tatimpaguesit.
Paralajmërimin për dërgimin e Ligjit në Kushtetuese komunat e patën bërë të mërkurën. Ministri Murati këtë paralajmërim e pati kualifikuar si lojë të komunave dhe hipokrizi. E për këtë të premten i është kundërpërgjigjur kryetari i Prizrenit, Totaj.
“Vetë fjala hipokrizi mendoj që është një fjalë e rëndë dhe nuk mendoj që duhet të përdoren fjalë të tilla. Përndryshe ministrit i dëshiroj vikend të këndshëm, sepse është sot e premte dhe pasdite të relaksohet pak dhe të mësohet të përdorë një gjuhë më profesionale, më demokratike dhe jo fjalë të tilla, siç është fjala hipokrizi”, ka thënë ai.
Qasja e Qeverisë për Ligjin është cilësuar e papërgjegjshme edhe nga kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi. Në “60 Minuta” të KTV-së, ai ka thënë se Qeveria është dashur që ta mendonte opsionin e rimbursimit të komunave për faljen e 100 eurove të tatimit për qytetarët.
“Edhe nëse do të duhej që të falej tatimi në pronë, atëherë Qeveria është dashur të mendonte t’i konsultonte komunat dhe nëse do të merrte veprim të tillë, do të duhej t’u siguronte komunave rimburësimin e mjeteve që do të vijnë, si pasojë e faljes së tatimit në pronë”, ka thënë ai.
Sipas Latifit, në Ligjin për Tatimin në Pronë të paluajtshme ka shkelje që i ka bërë Qeveria.
“Ministri i Financave, Qeveria nuk duhet ta cenojë autonominë e pushtetit lokal. Nuk duhet të ndërhyjë askush në autoritetin e komunave. Bëj thirrje që Qeveria ta ketë parasysh marrëdhënien e shëndoshë që duhet ta ketë me komunat, pavarësisht se kush udhëheq me to”, ka thënë ai.
Ndryshe nga qëndrimet e shprehura nga komunat e tjera, Kuvendi Komunal i Graçanicës të premten ka marrë vendim që ta bëjë faljen e 100 eurove të tatimit në pronë për të gjithë qytetarët e kësaj komune, ka bërë të ditur nënkryetari i kësaj komune, Leutrim Ajeti.
“Të nderuar qytetarë të Komunës së Graçanicës. Kuvendi Komunal sot me shumicë votash ka miratuar vendimin për faljen e tatimit në pronë në përputhje me Ligjin nr.08/L-224 për ndryshim dhe plotësim të Ligjit nr. 06/L-005 për tatimin në pronën e paluajtshme”, ka shkruar Ajeti në Facebook.
Ndryshimet ligjore për tatimin në pronë kanë hyrë në fuqi 9 ditë më parë dhe me to parashihen që deri më 16 shtator të miratohet në kuvendet komunale falja e 100 eurove nga faturat e tatimit në pronë.
Ndryshimet janë iniciuar pas reagimeve të qytetarëve se rivlerësimi i pronave që u bë nga Ministria e Financave rriti tatimin në pronë gati dyfish.